Lajme

“Balanci i pushtetit arrihet atëherë kur LDK do ta marrë postin e presidentit”

01/22/2020 00:30
nga:Gazeta Blic

Shpejtim Bulliqi thotë se LDK-ja s’i ka kushtuar aq shumë rëndësi postit të kryeparlamentarit sa i ka kushtuar postit të Presidentit.

Ai tha se LDK-ja duhet ta marrë një ministri në vend të postit të kryeparlamentarit, ndonëse tha se s’mund të thotë nëse pesha e dy posteve është e barabartë.

“Nuk po e kuptoj këtë vendim të palëvizshëm të LDK-së sepse faktikisht jemi para një sfide shumë të madhe drejt krijimit të institucioneve. Do të ishte hendikep, si për LDK-në, ashtu edhe për Kuvendin, nëse posti i kreut të Kuvendit ka një vit mandat, deri në marrjen e postit të Presidentit. Periudha 1 vjeçare nuk zgjidh problemet as për LDK-në e as për LVV-në”, tha Bulliqi në Interaktiv të KTV-së.

Ai tha se në momentin kur zgjidhet presidenti i vendit, do të krijohet balanci mes dy partive, LVV-së dhe LDK-së.

“Ndoshta edhe marrja edhe e një ministrie, në njëfarë forme do të ruante njëfarë balanci mes dy partive. Nuk mund t’i vejmë në peshore këto gjëra. Është me rëndësi të ekzistojë vullneti, besimi, i cili vërehet që është lëkundur pak në këtë periudhë kohore… dy partitë duhet të bëjnë përpjekje maksimale për ta kthyer këtë besim dhe të fillojë procesi i zhbllokimit”, u shpreh më tej ai.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, ish-deputet i LDK-së, foli edhe për kundërshtarët nga LDK-ja për koalicionin qeverisës me LVV-në. Ai tha se në opinion flitet se nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, është kundër këtij koalicioni, ndërsa la të kuptohet se ky më me dëshirë do të bënte koalicion me PDK-në.

“Në opinion duket kështu, që Veliu është kundër. Por ne nuk e dimë sepse janë çështje brenda partisë. Në fund të fundit, ata kanë të drejtë të mendimit ndryshe. Por, me rëndësi është që shumica absolute vendos. Jam i bindur që ka individë që nuk u pëlqen kolalicioni. Për disa prej tyre, koalicioni mund të jetë më i pranueshëm me PDK-në. Nuk e di a është Veliu pro këtij koalicioni apo jo, por nga anëtarësia e LDK-së thuhet se ky është ai kundërshtuesi, atij mund t’i shkojë më shumë muhabeti me ndonjë parti tjetër, e s’ka asgjë të keqe. Por, vullneti i qytetarëve ka qenë për ndryshim, dhe është menduar se këtë ndryshim mund ta bëjnë vetëm këto dy parti”, deklaroi Bulliqi.

Tutje, ai tha se në bazë të informacioneve që i posedojnë, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së është shumë më mirë për sa i përket dëshirës për koalicion me LVV-në sesa vet kryesia e LDK-së.

“Normal që këtu kemi numër më të madh, në Këshillin e Përgjithshëm janë të gjithë deputetët e zgjedhur. Besoj që pjesa dërmuese e deputetëve të LDK-së, së paku me një pjesë që kemi ruajtur raporte të mira, janë pro realizimit të kësaj marrëveshjeje dhe nuk paraqiten aq cikërrimtarë që gjërat të maten me gramë. Disa prej tyre kanë dhënë pëlqimin që të shkohet tutje. Besoj që asnjë prej deputetëve të LDK-së nuk janë të interesuar ta bëjnë shkarkimin e Konjufcës. Nuk do të ishte fer rrëzimi i tij. Brenda këtij koalicioni qeverisës ka pasur hapësirë të kompensohet mungesa e postit të kryeparlamentarit. Do të jetë shumë vështirë edhe për atë kandidat që kushtimisht nesër do ta propozojë LDK-ja, e t’i thuhet do të rrish aty vetëm një vit. Do t’i vejmë në pozita të këqija dy individë, atë që e zgjodhëm, pra Konjufcën, dhe tjetrin që duhet t’i themi duhet ta lirosh postin pas 1 viti”, tha Bulliqi.

Bulliqi foli për kohën kur ka qenë pjesë e LDK-së, duke thënë se mendimi ndryshe nuk është pritur mirë në ish-partinë e tij, “por megjithatë, njerëzit e kanë thënë mendimin e tyre”.

Ai thotë se meqenëse u ngushtua hapësira e tij e veprimit, “u desh të largohesha”.

“Varet se kush jeni, çfarë fuqie keni brenda partisë, dhe në fund të fundit, me kë atakohesh direkt. S’kam qenë i vetmi që kam pasur mendimin ndryshe, por i vetmi që jam larguar. Zonjës Osmani atëherë iu krijua mundësia, edhe pse u sanksionua me numër në listën e deputetëve, besoj se edhe unë, po të isha pjesë e listës, do të merrja vota të mjaftueshme për deputet”, deklaroi deputeti i LVV-së.

Bulliqi tha se qeveria e pakicave nuk do të ishte e shëndetshme për vendin. “Të qeverisësh me një qeveri të pakicës do të ishte shumë e vështirë. Sepse ne dimë të bëjmë pengesa gjatë rrugëtimit, prandaj do të ishte shumë e vështirë. Por, duhet gjetur mënyra për të dalë nga kjo situatë. Institucionet e vendit s’mund t’i lëmë si janë. Kemi qeveri në dorëheqje, pastaj e kemi buxhetin që ka periudha të afatizuara që duhet medoemos t’i zëmë me qeverinë e re për të mos e bllokuar procesin e pagave, dhe, përveç këtyre, edhe punë e detyra tjera që e presin Kosovën në aspektin ndërkombëtar”, deklaroi deputeti Bulliqi.

“Zgjedhjet nuk besoj se janë opsion i mirë për asnjërin subjekt politik në këtë moment. Por, nëse duhet të shkojmë, ne si VV jemi të gatshëm të shkojmë”, tha ai.

Shpejtim Bulliqi, si kryetar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare, ka thënë se komisioni ka punuar në përgatitjen e dokumentacioneve për shënjimin e kufirit me Serbinë.

Ai ka thënë se aktualisht ka pezulluar këtë pozitë dhe po pret një përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsion nëse ka konflikt interesi mes kësaj pozite dhe asaj të deputetit.

“Faktikisht jam zgjedh deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kam çuar kërkesën te Agjencia Anti-Korrupsion për të parë nëse ka konflikt interesi apo jo. Derisa nuk marr përgjigje unë kam pezulluar punën time në atë komision, por deri kur kemi punuar është bërë punë e mirë. Është bërë punë në segmentin e kufirit verior. Kemi dal në terren. Kemi përmbyllur pjesën prej trekufirëshit mes Leposaviq, Podujevë, e deri në Karaçevë. E kemi lëvizur e kemi analizuar të tërin. Është bërë punë e mirë në hulumtimin dhe grumbullimin e dokumentacioneve që mendohet se mund të ketë nevojë komisioni për të diskutuar për demarkimin e kufirit me Serbinë”, ka thënë ai. “I kemi bërë përgatitjet që nesër kur të krijohen kushtet për të diskutuar me palën serbe, ne të jemi të përgatitur e të mos shkojmë me duar në xhepa. Mund të ketë kontestime dhe ato priten, por besoj që komisioni është i përgatitur që t’u dalë ballë pretendimeve që mund të ketë shteti serb”.

Sa i përket punës së komisionit për kufirin me Malin e Zi, Bulliqi ka treguar se është formuar trupi punues i Kosovës dhe po pritet formimi i trupit punues në Mal të Zi, e më pas do të vazhdohet puna në terren. Ka thënë se shpreson që kjo punë të bëhet sivjet.

Parashikimi i analistit politik: Marrëveshja LVV-LDK do të ndodhë gjithsesi

09/17/2020 18:43

Hoxhaj: Isa Mustafa i facebookut nuk është i vërteti, po e mbronë Hotin nga kompromiset ku e ka futur vendin