Lajme

Bajrami thotë se Qeveria s’ka guxim të debatojë për energjinë elektrike

02/09/2022 21:43
nga:Q R

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka guxim të debatoj rreth ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Për këtë sipas saj në debatet televizive po i dërgon deputetët që vijnë nga radhët e Listës “Guxo”.

Këto deklarata Bajrami i bëri gjatë diskutimit me deputeten e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci.

“Një parti që i ka 51% e merr një deputete te Listës Guxo dhe i thotë shko me fol sot. Nuk ka guxim asnjë ministër dhe askush tjetër me ardhë”, tha Bajrami në Klan Kosova.

Ndërkaq Statovci i tha Hykmete Bajramit se po paragjykon gjeneratat e reja që kanë vullnet të debatojnë për tema të tilla.

“Unë jam nënkryetare e komisionit për ekonomi dhe të gjithë koleget e mij i ki në debate tjera. Ti duhet me u ndje mirë që një deputete e re vjen me kënaqësi me i debatu këto tema. Kështu që unë mendoj që duhet me e pa si vlerë e jo si paragjykim ndaj gjeneratave të reja”, tha Statovci.

Pas kësaj deputetja e LDK-së theksoi faktin që ministrat e Qeverisë nuk morën pjesë në debatin e sotëm parlamentar.