Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, kërkoi përgjegjësi nga Qeveria për dështimet dhe skandalet gjatë katër vjetëve.
Ajo tha se qytatarët, “tek e fundit nuk i marrin parasysh as deklaratat e juaja dhe as tonat”.
“Ata i pranojnë faturat mujore në shtëpitë e tyre”, tha ajo, duke folur, ndër tjerash, edhe rritjen e deficitit tregtar.
“Paratë e qytetarëve, të cilat në masë të madhë është duke i dërguar edhe mërgata jonë për me e financu konsumin bazë të qytetarëve të vendit, janë duke përfundu jashtë. Miliarda euro ke dhënë në formë të karameleve, të cilat nuk kanë dhënë asnjë efekt. Investimet kapitale i ke më të ulëtat”, tha Bajrami.
Ajo përmendi disa nga premtimet e parealizuara.
“Duhet të jepni përgjegjësi. Nuk janë 160 çerdhe. Nuk janë 5 shtëpi për të moshuarit. Nuk janë 4 mijë banesa. Nuk është askund fabrika e keqapit. Dhe keni kalu në aksion në dy muajt e fundit të qeverisjes duke shpallur tenderë, duke bërë komisione për studime të fizibilitetit kinse ju tash, në dymujorin e fundit po doni me e bë Kosovën Zvicër. Jo, është vonë. Ju keni përfundu. Më 9 shkurt shkoni në shtëpi se praktika iu zgjati tepër shumë. Shihemi në kapacitetet tjera”, tha nënkryetarja e LDK-së.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i replikoi asaj duke përmendur rritjen e të hyrave.
“Rritja ekonomike, nëse e sheh bruto produktin vendor është 47% më lart. Prandaj kot gënjejnë e premtojnë rrejshëm këta, sepse rritje të tillë as s’kanë mundur të gjenerojnë kurrë”, tha ai.
“Rezultatet, shifrat nuk mund të mohohen”, tha Murati.
Bajrami e mori fjalën sërish, duke thënë se ministri e kundërshtoi vetën “gati në secilën fjali”.