Lajme

Bajqinovci: Mos sanksionimi i Serbisë për sulmin e Banjskës lë mundësi për sulme tjera – i pakuptimtë relacioni i BE-së me zëdhënësin e Millosheviqit

11/30/2023 13:09
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se mos sanksionimi i Serbisë për sulmin e Banjskës ka lënë mundësi të hapura për sulme të ngjashme ndaj Kosovës.

Sipas tij, BE po përdor standarde të dyfishta duke e sanksionuar Kosovën por jo edhe Serbinë.

“Fatkeqësisht, këtu kemi të bëjmë me standarde të dyfishta dhe Serbia nuk është penalizuar për sulmin ende. Është bërë një rezolutë e Parlamentit Evropian që e dënon dhe e quan akt terrorist por në praktikë nuk kemi pasur ndonjë masë apo sanksionim të Serbisë, gjë që lë të hapur edhe mundësinë që Serbia prapë të bëjë ndonjë sulm të tillë apo më të vogël apo më të madh, andaj unë mendoj që bashkësia ndërkombëtare ka bërë një gabim të madh që s’e ka penalizuar Serbinë pas sulmit terrorist, ku krejt komplet dokumentacioni dhe provat, argumentet, tregojnë që mbrapa këtij sulmi është qeveria e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Vulini. Duke e ditur se armatimi ishte i shtetit serb, e pranoi edhe fabrika që e prodhon atë, është vrarë truproja e Vulinit, njeriut kryesor të BIA-s dhe doli në pah që është terroriste kryesor Milan Radojçiq, përmes dronit, që është njeriu më i afërt i Vuçiqit. Por, unë mendoj që krejt këto po ndodhin për shkak se Serbia nuk po penalizohet ashtu siç duhet pas sulmeve terroriste që i ka bërë në Kosovë. Kemi standarde të dyfishta nga Bashkimi Evropian dhe fatkeqësisht më shumë ne po e vuajmë, po e shohim shpesh që kemi masa ne, ndërsa nuk ka masa Serbia”, thotë ai.

Për arsyet e këtij mos sanksionimi, Bajqinovci thotë se BE dëshiron që ta kthejë nga vetja Serbinë por që në çdo sondazh ajo del 70 për qind pro ruse.

Ai madje shprehet se nuk e kupton relacionin e BE-së me Vuçiqin.

“Unë mendoj që shpesh flitet në arenën ndërkombëtare dhe vendore, që mos ta lënë Serbinë të shkojë kah Rusia, ndërsa në çdo sondazh Serbia del me 70 për qind që janë pro rus. Pra, po tentojnë diçka që nuk bëhet, ta kthejnë nga Bashkimi Evropian. Kur të njëjtin njeri, zëdhënësin e Millosheviqit e kemi sot president dhe BE e ka një relacion me të i cili është i pakuptueshëm, me një njeri i cili ka qenë pjesë e masakrave në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë”, potencon deputeti i VV-së./Gazeta Blic/