I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje me numër 48, Mefail Bajqinovci.
Bajqinovci ka treguar se çfarë presin si subjekt politik nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai u shpreh i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do të del më fuqishëm se në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se do të kenë 50% të totalit të votave në nivel vendi.
“Mendoj se Lëvizja Vetëvendosje do të del më fuqishëm se në muajin shkurt, që i kemi marr 42.6%. Mendoj se do të jetë prap një referendum ku do të jemi me 50% të totalit të votave në nivel vendi. Janë shumë arsye dhe tashmë opozita veç e ka pranu disfatën sepse ka bërë shumë gabime duke mos votuar buxhetin i cili mund t’a bëjë pengesë shumë të madhe në mbetjen e 85 mijë shërbyesve civil edhe dy muaj” deklaroi Bajqinovci.
I pyetur nga gazetari Çollaku se si mund të jenë partitë ish-opozitare përgjegjëse, kur të njëjtit (LVV-ja) kanë fituar shumicën e votave, Bajqinovci pati këtë përgjigje.
“Ne kemi kërku koalicion, dy herë kemi kërkuar koalicion zyrtar me Lidhjen Demokratike të Kosovës pastaj edhe me partinë Nisma. Fatkeqësisht Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dasht as të takohet me ne, ka pas vija të kuqe. Unë nuk di se çfarë duhet të tregohet në sinqeritet kur ne kemi kërkuar publikisht disa herë që ne duam me Lidhjen Demokratike të Kosovës të kemi koalicion dhe ata nuk kanë dashur as të takohen. Pastaj kemi patur edhe me partinë Nisma por që e dini që ka qenë problem të arrihet edhe vota për kryeparlamentar pasi që i kemi patur dy nga minoritetet që s’kanë votu dhe unë mendoj që faji për këtë është nga opozita. Ata kanë mundur sot t’a kenë një qeveri me Lidhjen Demokratike të Kosovës por ju i dini deklaratat e tyre. Dhe e fundit…mendoj se nëse nuk është votu zoti Konjufca, nuk është votu Albulena Haxhiu, Albin Kurti, të paktën votoje buxhetin. Tani kujt t’i besojmë…Arsim Bajramit apo Përparim Grudës? Përparim Gruda del thotë diçka ndryshe, Arsim Bajrami profesori, hartues i Kushtetutës, bashkë-themelues i Partisë Demokratike thotë diçka tjetër. E keni parë në një emision ku e thotë “buxheti ka fleksibilitet në Kushtetutë që buxheti të votohet” sepse ashtu mund të ndodhë që çdoherë të bie Qeveria, mos të kemi Kryeministër dhe mund të bie shteti në kolaps” deklaroi Bajqinovci.
Bajqinovci tha se opozita është fajtore për bllokadën 9-mujore dhe dërgimin e vendit në zgjedhje.
“Unë mendoj që qytetari do t’a ndërshkojë opozitën për bllokatën 9-mujore. Jam tërë kohën në terren, në qytet, në fshatra, në komuna të ndryshme në Kosovë dhe ata e fajësojnë opozitën për shkak të bllokadës të cilën e kanë shkaktu, edhe për buxhetin edhe për konsolidimin e Kuvendit të Kosovës që zgjati shumë por edhe për mos-krijimin e Qeverisë.Mendoj se opozita është fajtore për të gjithë këtë bllokadë deri më sot dhe pas 9 muajsh na dërguan në zgjedhje” tha Bajqinovci në Blic Interview raporton “Gazeta Blic”.

