Lajme

Bajqinovci-Hotit: Ndiej keqardhje që për dialogun flet dikush që i fliste serbisht Vuiçiqit!

11/15/2022 19:05
nga:Y I

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti,  ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë sa i përket çështjes së dialogut.

Ai ka thënë se ata (Qeveria) po dëmtojnë partneritetin me aleatët dhe se fundi nuk do të jetë i mirë.

“ShBA-ja, aleati ynë kryesor – i kërkon Qeverisë së Kosovës të shtyj zbatimin e vendimit për targat, e këta shkojnë e takohen me Petkoviqin në Bruksel!!!Vendimi për targat është marrë nga Qeveria. Çfarë ka për tu negociuar?!Fatkeqësisht, këta qeveritarë na kanë futur në qorrsokak sa i përket dialogut, e na kanë dëmtuar partneritetin me aleatët. Fundi nuk mund të jetë i mirë” shkruan Hoti në reagimin e tij raporton Gazeta Blic.

Në lidhje me këto deklarata ka reaguar deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Bajqinovci tha në një prononcim për “Gazeta Blic” se ndjen keqardhje që për kete temë flet dikush që shfaqte inferioritet ndaj Vuçiqit në Bruksel kur i përgjigjej në serbisht para fillimit të bisedimeve.

“Sa i përket dialogut, ndiej keqardhje që për këtë temë po flet dikush që shfaqte inferioritet të pashembullt ndaj Vuçiqit në Bruksel kur i përgjigjej në serbisht para fillimit të bisedimeve. Mbase e kanë vështirë ta kuptojnë se tash Qeveria dhe Kryeministri Kurti e kanë stabilizuar pozicionin negociator të Republikës së Kosovës”

Tutje Bajqonovci thotë se raportet e Kosovës me aleatët janë të shkëlqyeshme dhe në frymë të bashkëpunimit të plotë.

“Deputetit Hoti duhet t’ia rikujtojmë që çështja e targave është marrëveshje mes palëve e nënshkruar vite më parë dhe po ashtu Republika e Kosovës në fund të muajit korrik e pati shtyrë zbatimin e vendimit si shenjë e vullnetit të mirë. Kurse, raportet tona me aleatët janë reciproke, të shkëlqyeshme dhe në frymë të bashkëpunimit të plotë. Kjo vërtetohet edhe me vlerësimet pozitive që po merr Republika jonë jo vetëm në raportet dhe indekset ndërkombëtare, por edhe në mënyrën se si është paraqitur. Propozimi franko-gjerman që praktikisht e detyron Serbinë ta pranojë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë dhe të gjitha të drejtat dhe obligimet që derivojnë nga portretizimi i tillë” deklaroi Bajqinovci për “Gazeta Blic”.

Ish-ministri i Financave nga radhët e LDK-së, njëherësh deputet i kësaj partie, Avdullah Hoti, pati kritike të ashpra edhe në lidhje me planifikimin buxhetor për vitin 2023 .

Në lidhje me këto kritika, Bajqiovci tha se për kete vit është arritur buxheti më i madh ndonjëherë për Kosovën me mbi 3.2 miliard euro.

“Sa i përket çështjes së parë, lidhur me planifikimin buxhetor, duhet rikujtuar fakti se për këtë vit është arritur buxheti më i madh ndonjëherë për Republikën e Kosovës, mbi 3.2 miliardë euro. Përveç kësaj, edhe mënyra se si është ndarë ky buxhet, pra se si është planifikuar prioritizimi i sektorëve është drejtpërdrejt me nevojat e qytetarëve dhe sipas programit qeveritar, ku janë paraparë mbi 300 milionë euro për shëndetësi, pastaj mbi 120 milionë euro për siguri dhe fusha të tjera të rëndësishme që u është kushtuar vëmendje si asnjëherë më parë. Pra, buxheti i vitit 2023 përveç se është më i larti, është shembull edhe për orientimin dhe për mënyrën e planifikimit të tij” tha Bajqinovci për “Gazeta Blic’

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, deklaroi gjatë ditës se për shkak të inflacionit prej rreth 20% për produktet e konsumit bazik, buxheti nominal për vitin 2023 prej 3.2 miliardë euro, është në fakt rreth 2.5 miliardë euro në terma real.

/Gazeta Blic/

 

Hoti kritika për planifikimin buxhetor- Këta njerëz nuk janë në terezi!