I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Bajqinovci, një deputet mjaft popullor nga radhët e kësaj partie, si duket po merr mbështetje mjaft të madhe dhe kjo u pa edhe gjatë kohës sa i njëjti po realizonte intervistën nga përkrahja që i jepnin qytetarët.
Ai tha se brenda vitit i takon diku rreth 6000 qytetarë ndërsa vetëm gjatë ditës komunikon me 50 ndërsa online me qindra brenda 24 orëshit.
“Unë e kam edhe një aspekt tjetër, brenda një viti unë i takoj rreth 6000 qytetarë si deputet, jam njër ndër deputetët që i takoj, sepse edhe kolegët e mi i takojnë. Unë i kombinoj çështjen e Kuvendit, mediatike, pjesën tjetër të foltores, ligjeve dhe çështja që eshte me rëndësi 50% është takimi me qytetarët, ankesat, kërkesat të cilat i kanë dhe që duhet të transmetohen në Kuvend por edhe në ekzekutiv. Fatmirësisht unë kam pas fatin të jem gazetar dhe kur kam shkuar në Washington e kam parë stilin se si funksionojnë kongresmenët. Ata brenda një viti takohen me dhjetëra mijëra dhe këtë e kam pas në përdorim dhe unë brenda një dite i takoj diku rreth 50 vetë e mos të flas online me sa njerëz komunikoj me qindra brenda ditës” tha Bajqinovci.
Bajqinovci ka sqaruar se pse mban edhe në këto zgjedhje numrin 48 pavarësisht se ishte njëri ndër 15 më të votuarit në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Eshtë e vertetë që jam njëri nga 15 më të votuarit në Lëvizjen Vetëvendosje por numri nuk paraqet asgjë. E dyta numri nuk ka lëvizur në Lëvizje Vetëvendosje fare sepse nuk e kemi patur mundësinë që të gjithë deputetët në këtë legjislaturë t’a tregojmë veten dhe kanë shku me numër të njëjtë. Unë mendoj, ka treguar edhe koha që në shkurt të vitit 2025 me këtë numër i kam pas 42 mijë e 340 vota dhe numri nuk përbën asgjë. Kemi deputet në fund të lsitës i cili është shumë i votuar.Prandaj unë mendoj se duke patur parasysh se kjo legjislaturë shkoi pa patur kontribut për shkak të pengesës së opozitës, ne jemi të renditur mirë dhe nuk paraqet asgjë” tha Bajqinovci në Blic Interview me Astrit Gashin raporton “Gazeta Blic”.

