Lajme

‘Babalja’ kërkon azil në Kosovë

05/29/2018 18:34
nga:Gazeta Blic

Albert Veliu, i cili po kërkohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të Shqipërisë ka bërë kërkesë për azil në Kosovë.

KosovaPress nga burime brenda Policisë mëson se Veliu tashmë ka dorëzuar kërkesën për azil tek Departamenti për Shtetësi dhe Azil në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Veliu i njohur në Shqipëri me pseudonimin Babalje është arrestuar të dielën në qytezën e Shtimes bashkë me djalin e tij. Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB , Valon Krasniqi i kontaktuar nga KosovaPress ka thënë se për të konfirmuar kërkesën që është bërë tek dikasteri që ai drejton, pyetjet duhet bërë nëpërmjet Zyrës për Komunikim të MPB-së.

Pavarësisht se pyetjet janë dërguar kësaj zyre nëpërmes postës elektronikë para orës 13:00 të ditës së martë , zyra për Komunikim nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe Partia Demokratike e Shqipërisë , pretendon se një bisedë mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt, tregon se ky i fundit ka vijuar trafikun e lëndëve narkotike, edhe kur vëllai i tij Fatmir Xhafaj mbante detyrën si ministër i Brendshëm.

Pas daljes së videos dy javë më parë, Veliu tentoi të largohet nga vendi, por u ndalua në Kukës.

Prokuroria e ka dërguar regjistrimin për ekspertim jashtë vendit. Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri pretendojnë se ky audio përgjim është i manipuluar, ndërsa Partia Demokratike i qëndron versionit të saj, se përgjimi tregon përfshirjen e Agron Xhafajt në trafikun e drogës dhe kërkon largimin e menjëhershëm të ministrit.

06/02/2018 15:22

Azili i babales në Kosovë, ministri kosovar: Të detyruar të shqyrtojmë kërkesën