Lajme

Avokati i Popullit: Sulmet ndaj gazetarëve të zgjidhen në mënyrë efikase

05/03/2018 15:43
nga:A. R.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit përsëri e gjen vendin në përpjekje për t’i tejkaluar sfidat e deritanishme për garantimin e lirisë së shtypit si e drejtë themelore, dhe tregues i nivelit të zhvillimit të demokracisë dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në përgjithësi.

Kështu thuhet në deklaratën për media të Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila ka për simbolikë përqendrimin e vëmendjes në rëndësinë e lirisë së shtypit, duke reflektuar në të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes.

Avokati i Popullit përkujton se më 2 nëntor 2017 ka publikuar Raportin me Rekomandime me qëllim të trajtimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, në fokus të të cilit janë rastet e sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Raporti tërheq vërejtjen mbi nevojën e avancimit të kornizës legjislative, e cila do të garantonte mbrojtje të mjaftueshme për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, koordinimin ndërmjet policisë dhe prokurorit të shtetit dhe trajtim me prioritet nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor për veprat e kryera kundër gazetarëve.

Avokati i Popullit fton institucionet e vendit që të fuqizojnë aktivitetet për të siguruar transparencë në funksion të llogaridhënies publike dhe rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet dhe t’i zgjidhen në mënyrë efektive.

Ndryshe, në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim të ndërgjegjësimit për rëndësinë e lirisë shtypit, si dhe për të sjellë në vëmendje qeverive detyrën e tyre për të respektuar dhe mbështetur të drejtën e lirisë së shprehjes, e drejtë e garantuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, mori vendim për caktimin e kësaj date, si Ditë Botërore e Lirisë së Shtypit.

01/02/2020 17:40

Ligji (problematik) i Pagave vazhdon edhe në 2020