Lajme

Autostrada Prishtinë-Gjilan, Aliu: Kur është thënë se përfundon në fund të vitit 2023, as për së afërmi s’ka qenë

10/23/2024 12:16
nga:N K

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka refuzuar të japë datë për përfundimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Aliu tha se për këtë projekt “hezitoj edhe përtoj me folë sepse kemi pengesa të vazhdueshme dhe kemi pasë zvarritje të vazhdueshme”.

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi patën thënë kjo autostradë do të hapej deri në fund të vitit 2023. Qytetarët edhe ishin uruar.

“S’përtoj me folë për rrugën e Mitrovicës, nuk përtoj me folë për rrugën e Podujevës, nuk përtoj me folë për rrugën e Pejës. Secilat janë duke shkuar me trende mjaft të shpejta. Këto dy projekte (i referohet rrugës Prishtinë-Gjilan dhe Kijevë-Dollc) janë projekte të trashëguara me probleme dhe të kontraktuara qysh atëherë, por ka një progres mjaft të madh, sidomos te autostrada e Gjilanit, në krahasim me atë të Gjakovës”, tha Aliu.

Ai tha se “një mal i madh që ka qenë në mes të autostradës është gërmuar plotësisht”.

Aliu tha se kur është thënë se kjo autostradë do të përfundonte në fund të vitit 2023, “ka qenë një gabim, për shkak se as për së afërmi nuk ka qenë realisht”.

“Dhe për mua, kur kam qenë në vizitën e fundit – se është mbase projekti që më së tepërmi e kam vizituar, gati çdo muaj ia bëj një vizitë – mendoj që ka një progres të madh, mirëpo nuk mund t’ju jap datë, për shkak se kur është dhënë aso kohe premtimi ose data që do të kryehet në vitin e kaluar, ka qenë një gabim, për shkak se as për së afërmi nuk ka qenë realisht. Këto kanë qenë raportime të rregullta që vijnë nga ministria, që nuk kanë pasë shumë të bëjnë me realitetin. E që sot, pas zgjidhjes së shumë problemeve që kanë ndodhë – kanë qenë edhe disa të shpronësimit, edhe disa teknike nga rrëshqitja e dheut që ka ndodhë e që janë sanuar – pak a shumë problemet faktike, reale janë eliminuar dhe procesi është duke shkuar tashmë në një ritëm mjaft të shpejtë, por nuk mund t’ju jap datë”, tha ministri.

Kurti kishte thënë se autostrada do të hapej në fund të vitit 2023. “Autostrada Prishtinë – Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime!”, thoshte më 21 korrik të vitit të kaluar.

Durmishi ndërkaq, pak ditë më pas thoshte të njëjtën gjë, duke njoftuar se punimet po zhvilloheshin “me një dinamikë të shtuar”.