Pierre-Emerick Aubameyang ka thënë se ai pothuajse nënshkroi për Tottenhamin vite më parë dhe tani më mirë do të tërhiqej sesa t’i bashkohej rivalëve të Londrës veriore të Arsenalit.
Reprezentuesi i Gabonit iu bashkua Arsenalit në vitin 2018 pas pesë vitesh me Borussia Dortmund dhe aktualisht është kapiteni i klubit.
Por ylli i Gunners mund të kishte përfunduar te Spurs pas bisedimeve me klubin.
I pyetur nga ‘Sky Sports’ nëse do të preferonte të tërhiqej apo të nënshkruante për Tottenhamin, Aubameyang tha: “Nuk keni nevojë ta bëni pyetjen, ju e dini tashmë [përgjigjen], unë do të tërhiqesha.
“Aq më tepër sepse nuk e di nëse e dini, por disa vite më parë isha afër nënshkrimit për Tottenhamin dhe në fund nuk e di se çfarë bënë ata. Kështu që do të tërhiqesha me siguri.
“Unë isha në St-Etienne mendoj [në atë kohë], nuk jam i sigurt, ose në fillim të Dortmundit. Nuk e mbaj mend saktësisht.
“Erdha këtu, shkova në stadium edhe në White Hart Lane. Një ditë më pas ata thjesht nuk u përgjigjën, nuk më thirrën kurrë, kështu që unë thashë: ‘Ok, mos u shqetëso’, prandaj çdo herë që unë luaj kundër tyre, ata e dinë [pse jam tepër i motivuar]”.
Aubameyang humbi ndeshjen e parë të sezonit të Arsenalit për shkak të sëmundjes, por është paraqitur në të gjitha ndeshjet e tyre pasuese në Premier Ligë.
Ai ka katër gola në emër të tij në ligën angleze këtë sezon, ndërsa shënoi një hat-trick teksa mposhti West Brom 6-0 në Kupën Carabao.
Skuadra e Mikel Artetës është aktualisht e pesta në Premier Ligë dhe e pamposhtur në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke fituar tetë dhe dy barazime.


