Barcelona pritet të vazhdojë me shitjen e lojtarëve këtë verë për të arritur rikthimin te rregulli 1:1 i La Ligas, një hap ky që do t’i ndihmojë për të regjistruar disa lojtarë të ekipit të parë, përfshirë Joan Garcia, Wojciech Szczesny dhe Marcus Rashford.
Emra si Marc-Andre Ter Stegen dhe Andreas Christensen konsiderohen si kandidatët kryesorë për largim, por në këtë fazë, asnjëri prej tyre nuk pritet të largohet.
Në vend të tyre, kanë dalë alternativa të tjera, dhe një prej tyre është Marc Casado.
Barcelona e vlerëson Casadon me rreth 30 milionë euro, dhe besohet se shitja e tij do t’i mundësonte klubit të regjistrojë Garcian, Szczesnyn dhe Rashfordin në La Liga.
Disa klube të Premier League janë lidhur me mesfushorin 21-vjeçar, ndërsa sipas Sport, edhe Atletico Madrid ka shprehur interesim për transferimin e tij.
Trajneri Diego Simeone është një admirues i madh i Casados, dhe pas largimit të Rodrigo De Paul drejt Inter Miami, ka hapësirë për një mesfushor tjetër qendror, pavarësisht se Atleti ka nënshkruar me Johnny Cardoso nga Real Betis më herët gjatë verës.
Çështja e largimit të mundshëm të Casados ka gjeneruar shumë diskutime brenda Barcelonës ku tashmë ka një ndarje mendimesh.
Shitja e tij do ta ndihmonte ndjeshëm klubin në aspektin financiar, por në të njëjtën kohë, Barça do të humbiste një lojtar që mund të shërbente për më shumë se një dekadë.


