Duke folur në lidhje me kërcënimet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për mundësinë e vendoesje se sanksioneve ndaj Kosovës, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, në Blicinterview me Astrit Gashin, tha se ajo është e mendimit se asnjë kosovar nuk e ka paramenduar se në vitin 2023 ne do të ballafaqohemi me masa prej miqve tonë.
“Erdhëm ku erdhëm dhe shtrohet pyetja pse. A mundesh me i thënë një ndërkombëtari se ti po kushtëzohesh me masa, sepse ke dashur të shtrosh sundimin e ligjit. Jam e bindur se kjo është thjeshtësimi në banalitet që shpesh përdoret si gjuhë e ekzekutivit tonë dhe nuk është e vërtetë. Ajo që qëndron për mendimin tim është që përshtypja që krijohet është se një strategji afatgjate e miqve tonë është thyer. Ty në vazhdimësi të është bërë me dije se nuk po të themi duro se nuk ke të drejtë, por po të themi duro se jemi duke punuar. Por duhesh të jesh tejet i vëmendshëm për kohën në të cilën qëndrojmë, si në gjeopolitikë, në gjithçka që po ndodh në rajon dhe në rrugëtimin tënd ndër vite çka ke përfituar në Kosovë. Kjo tani është çka mund të bëjmë tani e tutje, Nëse thyerja është e pangjitshme, këtë nuk e di. Se ka me na marrë vite të tëra për të arritur në pikën ku ka qenë, këtë nuk e vë aspak në dyshim”, tha Kica-Xhelili.
Ajo theksoi se fatkeqësia më e madhe është se qytetarët e Kosovës, shteti ynë, e paguan çmimin e politikës kosovare, e ndoshta edhe individët, por duke shtuar se kjo nuk ka ndonjë rëndësi për shtetin e Kosovës.
“Për që kemi treguar pamaturi, për shkak të mungesës së koordinimit dhe krijimit të idesë se jemi të vetëmjaftueshëm, atëherë i bie se ne kemi thyer diçka. Çka duhet të bëjmë për ta sanuar këtë, saktësisht nuk e di, por çka duhet të bëjmë urgjentisht të rikthehemi në besimin që koordinimi nuk është dobësi, por është forca dhe fuqia jote që e ke pasur ndër vite si Kosovë, ke pasur aleat që kanë dëshmuar se rrugëtimi demokratik i Kosovës është mbështetë. Prandaj është momenti i fundit që ne të rikthehemi me bisedime të ngushta me miqtë tonë që na janë dëshmuar në vështirësitë më të mëdha që janë me ne dhe me filluar me u rikoordinuar me ta, për me e zgjedhë edhe konfliktin në veri”, tha deputetja e LDK-së.