Xhualiano Skuka është prezantuar zyrtarisht tek skuadra e njohur franceze, Metz.
24 vjeçari i cili shkëlqeu në futbollin shqiptar me ekipin e Partizanit, tashmë ka kryer transferimin rekord në ekipin francez, Metz.
Në lidhje me këtë ka folur drejtori sportiv i klubit të Partizanit, Elton Marini – i cili shprehet shumë i kënaqur me këtë transferim historik të futbollistit shqiptar në Francë.
Marini zbulon se klubi ka marrë të ardhura mjaft të mira dhe kjo padyshim se mund të quhet historike edhe në këtë aspekt.
“Jemi të kënaqur që transferimi Skukës përveçse është një burim i mirë të ardhurash për financat e klubit, është një fakt historik për shifrën e dakordësuar. Asnjë klub shqiptar nuk ka bërë një transferim kaq të lartë deri më sot. Përveç kësaj është një transferim që kryhet në një kampionat të rëndësishëm dhe jo rëndom siç kemi parë në vitet e fundit shembuj si Turqi, Azerbejxhan, Hungari apo Kroaci”, tha fillimisht Elton Marini për ‘GazetaBlic Sport’.
Marini beson se transferimi i Skukës në Francë tek Metz do të afron ligat e forta tek lojtarët që luajnë në Superiore.
“Klubet shqiptare kanë filluar të ndërtojne strategji të reja që të arrijnë të kryejnë shitje të lojtarëve drejt kampionateve më të mira të Europës. Jemi akoma larg – por rasti ynë i afron akoma më shumë ligat e forta me ekipet tona”, vazhdoi ai.
Në fund, drejtori sportiv i Partizanit zbulon se kishte tri skuadra që u interesuan për Skukën, teksa tregon edhe arsyen e fortë që zgjodhën Metzin.
“Tani që kemi dakordësuar për shitjen e tij, mund t’ju them që kemi pas oferte nga Dinamo Kiev, Lecce dhe Hellas Verona. Por Xhuliano dhe ne zgjodhëm Francën përpos shifrave edhe për një ambientim më të mirë të djalit, pasi flet gjuhën franceze. Shpresojmë që ai të bëjë sukses në Metz me mundesi për të shkuar më lartë, në Ligue 1 ose në liga të tjera të forta europiane”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport