Lajme

Asnjë i dyshuar për kidnapimin e 11-vjeçarit, i mituri gjendet pranë familjes

04/09/2018 11:39
nga:A. R.

Në pasditen e së dielës 11 vjeçari nga Komuna e Shtimes, E.Tafa, po luante pranë shtëpisë së tij bashkë me djalin e axhës. Në ndërkohë ai u fut në një veturë “xhip” e cila nga familjarët u raportua në polici si rrëmbim.

Por, vetëm disa orë më vonë, ai i vetëm kishte arritur që të dalë nga vetura për t’u paraqitur pastaj në stacionin policor. Policia për këtë rast thotë se ende nuk ka ndonjë të dyshuar. Ndërkohë që i mituri tashmë gjendet pranë familjes.

Ende nuk ka asnjë të dyshuar për kidnapimin e 11 vjeçarit, E.Tafa, nga komuna e Shtimes i cili nga dy persona ende të panjohur për policinë u fut në veturë. Zyrtarë të policisë nga rajoni i Ferizajt i kanë thënë Expressit, se hetimet po vazhdojnë.

Agim Gashi, nga policia rajonale e Ferizajt, ka thënë se personat e dyshuar të cilët e kanë marrë 11-vjecarin ende nuk janë identifikuar nga ana e policisë.

“…rreth këtij rasti hetimet janë duke vazhduar. Për momentin nuk kemi ndonjë të dyshuar”, thotë ai.

Gashi thotë se 11-vjecari tashmë gjendet pranë familjes së tij.

E i mituri E.Tafa, mbrëmë rreth orës 00:15 minuta është paraqitur në stacionin policor të Ferizajt. Zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt ka thënë se gjendja shëndetësore e 11 vjeçarit është e mirë.

“Gjendja e tij është shumë e mirë, prindi është njoftuar me kohë dhe e ka marrë djalin me vet. Të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë”, ka thënë Gashi. Viktima vet kishte arritur të lajmërohet në Stacionin Policor në Shtime.

“Vet ka arrit në stacionin policor, fëmija ka qenë paksa i shqetësuar por me ndihmën e psikologut gjithë rasti do të zgjidhet. Hetimet do të kryhen me kohë dhe do të kompletohet rasti”, ka shtuar Gashi. Fëmija 11 vjeçar kishte deklaruar ndër të tjerash se ka arritur të ikë nga automjet i të dyshuarve, të cilët thuhet se e kishin kidnapuar.
Ndryshe vetë xhaxhai i fëmijës mbrëmë vonë pati deklaruar se atyre po u kërkohen 50 mijë euro për lirimin e nipit të tij.

“Kidnapuesit po i kërkojnë 50 mijë euro. Ata i kanë dërguar një mesazh përmes telefonit vëllait tim”, ka thënë Xhevdet Tafa, xhaxhai i 11-vjeçarit që u kidnapua në Shtime.

E ndërkohë rastin në polici e ka paraqitur vet babai i të miturit. Ai thotë se dy persona ia kanë futur djalin në veturë.

“Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar në polici se djali i tij i moshës 11 vjeç gjersa ishte duke ecur në rrugë është rrëmbyer nga dy persona të cilët ishin me një veturë Xhip ngjyrë e zezë. Pas një kohe ankuesi kishte pranuar një mesazh në telefon në të cilin i kërkohej para. Rreth orës 00:05 fëmiu i rrëmbyer është paraqitur në stacion policor në gjendje të mirë shëndetësore. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti në hetime.”, thuhet në raportin policor./Express/

 

 

12/03/2019 15:34

Humbi gjithë familjen nën rrënojat e tërmetit, Dorian Greku prej 2 muajsh ndodhej në Francë për azil