Sporti

Askush nuk flet për stadiumin e Prishtinës, a po frikësohet Kujtim Gashi?

06/13/2018 14:50
nga:Lorik J

Skuadra e Prishtinës dje ka mësuar kundërshtarin për raundin preliminar të Europa Leagues. FC Prishtina do të takohet me nënkampionin e Gjilbratarit, FC Europa.

Prishtina dhe FC Europa do të luajnë me 28 qershor dhe 5 korrik, shkruan GazetaBlic. Ndeshja e parë mes skuadrave do të zhvillohet në stadiumin e FC Europa’s në Gjilbratar “Victoria Stadium”.

Deri në këtë fazë gjithçka ka shkuar mirë për Prishtinën, por ndeshja e kthimit është “problemi” kryesor. Shtëpia e FC Prishtinës është duke u rinovuar dhe nëse i marrim parasysh deklaratat e zyrtarëve të MKRS, atëherë stadiumi duhet të përfundojë me 30 qershor. Ndeshja e kthimit mes Prishtinës dhe FC Europas zhvillohet me 5 korrik, por ende nuk dihet se në cilin stadium.

FC Prishtina është një nga klubet më serioze në vend, por kësaj radhe po përjeton një ‘torturim’ nga organet kompetente që kanë marrë përsipër rinovimin e stadiumit të Qytetit në Prishtinë. GazetaBlic që nga dita e djeshme ka tentuar që të kontaktojë me ministrin Kujtim Gashi apo edhe këshilltarët e tij, por një gjë e tillë është e pamundur.

Gjithashtu ‘GazetaBlic’ ka biseduar edhe me Besim Durakun nga “Al Trade”, por zyrtari i kompanisë ka thënë që nuk është i licensuar të flasë për media pa lejen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Presidenti i klubit futbollistik FC Prishtina, Remzi Ejupi ka folur për ‘GazetaBlic’ rreth kësaj çështje, ku ka thënë se ende nuk dihet se ku do të zhvillohet takimi kthyes

“Për këtë çështje duhet të bisedojmë me Ministrinë, pasi herën e fundit na kanë thënë që stadiumi përfundon me 30 qershor. Nëse e mbajnë premtimin dhe përfundojnë punimet deri në fund të qershorit, atëherë ndeshja do të zhvillohet në Prishtinë”, tha Remzi Ejupi.

/GazetaBlic/

08/20/2018 18:44

Pas shtyerjes së ndeshjes, lojtarët e Prishtinës e marrin lajmin e shumëpritur