Cult

Artistet e Ferizajt me ide kreative, shikojeni çfarë i kanë bërë nënkalimit

05/09/2018 18:44
nga:Y.K

Në hapësirat ku janë planifikuar të punohen muralet, tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e festivalit ndërkombëtar ‘’Mural Fest’’.

Ndër hapësirat ku janë paraparë të bëhen murale është edhe ajo tek nënkalimi në rrugën “Ahmet Kaçiku’’ në Ferizaj. Drejtoresha e shoqatës së artistëve figurativ ‘’Zef Kolombi’’, Pranvera Sylejmani, tha se po planifikojnë që hapësira brenda nënkalimit të shfrytëzohet për ekspozita të ndryshme.

“Pika kryesore ka me qenë nënkalimi dhe nga këtu kanë filluar përgatitjet, në pjesën tek ‘’Bondensee’’ janë vendosur skelet, nesër është hapja, ndërsa të premten vetëm fillon puna e artistëve, ndërsa pika kyçe që është nënkalimi ka me pas grafite dhe ajo që është kryesorja nënkalimi është se ka me u hap për herë të parë një galeri urbane, raftet që janë përdor për reklama e postera të ndryshëm janë pastru dhe këtu do të hapet dhe ekspozita e Hazir Rekës me fotografi, po ashtu tema do të jetë antikorrupsion njëjtë sikurse e festivalit”, tha Sylejmani.

Ideja për zëvendësimin e reklamave dhe posterëve të politikanëve që ndodheshin në nënkalim, me ekspozita të ndryshme, po u pëlqen edhe qytetarëve.

“Është ide e mirë nëse nuk i dëmtojnë, ku njerëz të ndryshëm kalojnë dhe i dëmtojnë dhe çdo gjë që ka qëllim të mirë, është bukur dhe ideja me i largu posterat e politikanëve shumë e mirë pasi më mirë është një ekspozitë që paraqet një domethënie se puna e politikanëve po shihet”, tha Faton Abazi.

“Ide e mirë dhe e qëllume, fytyrat e politikanëve na kanë mërzitë, më mirë një gjë që ka vlerë, një art i mirë, kemi mjaft gjëra të bukura për me i ekspozu”, tha Ilmi Musliu.

Festivali i Muraleve, i cili do të hapet nesër do të zgjasë 7 ditë, ndërsa qytetit të Ferizajt do t’ia shtoj edhe tri murale dhe disa grafite.