Sporti

Arsim Kabashi: Do ta shqyrtojmë mundësinë për gjyqtarë të huaj

02/21/2020 23:30
nga:M K

Vazhdon edhe më tutje të komentohen gjatë vendimet e gjyqtarëve kosovarë.

Së fundi ka folur edhe njëri prej më kritikëve, kryetari i Ballkanit, Arsim Kabashi, shkruan GazetaBlic.

Kabashi, përmes profilit zyrtar në rrjetin social “Facebook” ka komentuar këto gabime, duke thënë se shumë shpejt do ta mbledh bordin e drejtuesve të klubit therandas, me ç’rast do ta diskutojnë mundësinë që ndeshjet e skuadrës së tij t’i drejtojnë gjyqtarët ndërkombëtarë.

Gjithsesi, mbetet të shihet ditëve në vijim nëse do të kemi ndonjë risi sa i përket kësaj çështjeje, kurse më poshtë edhe postimi i plotë i Kabashit.

“Jam thellë i indinjuar me ndarjen e drejtësisë në këtë fillim gjysmë stinori për të cilin kam bindjen dhe besimin e plotë se është më interesanti nga pas lufta e deri më tani. Në këtë kampionat po investohet shumë në kualitet te trajnerëve e të futbollistëve dhe për këtë arsye edhe buxhetet e klubeve janë shumë të larta dhe rivaliteti mes skuadrave është shumë i madh. Në këtë kampionat protagonist kryesor duhet të jenë futbollistët e trajnerët, por për fat të keq nuk janë. Në këtë fillim e pamë edhe një herë që protagonistët kryesorë ishin gjyqtarët dhe thënë të vërtetën, kishte gjyqtarë që edhe iu kemi besuar në ndarjen e drejtësisë por sot gjendemi para një sfide. Kur humb besimi tek gjyqtarët më të mirë në Kosovë, a mos duhet vallë të bëjmë kërkesë që ndeshjet e futbollit të Kosovës t’i drejtojnë gjyqtarë të huaj?

Sapo të mbajmë një mbledhje me bordin e klubit FC Ballkani, do ta shqyrtojmë mundësinë dhe njëherit të bëjmë kërkesë që të gjitha ndeshjet e FC Ballkanit të gjykohen nga gjyqtarë te huaj, sepse unë Arsim Kabashi, president i FC Ballkani, dua vetëm drejtësi”.

/GazetaBlic/