Sporti

Arrihet akordi me klubin e Ligue 1, Mbappe qëndron në Francë

07/05/2024 08:22
nga:E K

Ndryshe nga vëllai më i madh dhe më i famshëm, Kylian Mbappe, Ethan Mbappe ka vendosur të qëndrojë në Francë. 17-vjeçari do të vijojë karrierën në klubin e Lille, teksa më herët ishte përfolur se edhe ai si Mbappe do t’i bashkohej moshave të Real Madrid. Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë pasi edhe zyrtarisht, Ethan Mbappe është i Lille deri më datë 30 qershor të vitit 2027.

“Jemi shumë të lumtur që mirëpresim Ethan tek Lille. Strategjia e klubit, më shumë se kurrë me ardhjen e Bruno Genesio, do të bazohet mbi të gjitha në zhvillimin dhe integrimin e talenteve të rinj premtues. Ethan mishëron në mënyrë të përsosur këtë profil dhe do të gjejë në klubin e Lille gjithçka që do t’i lejojë atij të vazhdojë rritjen dhe zhvillimin e tij, për të hyrë në nivelin më të lartë.

Falenderojmë gjithashtu Ethanin dhe familjen e tij për besimin që na dhanë, pavarësisht nga shumë kërkesa të tjera. Është një shenjë e njohjes së punës së mirë të kryer nga stafi i Lille në vitet e fundit”, mbyllej deklarata e klubit francez.

Nga ana tjetër, edhe vetë Ethan Mbappe u shfaq shumë i lumtur për këtë aventurë të re duke shtuar se mezi pret të nisë eksperiencën me Lille.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Mezi pres të filloj këtë aventurë dhe të takoj shokët e mi të rinj, stafin dhe tifozët. Për mua, në moshën time, qëndrimi në Francë ishte zgjidhja më e mirë për t’u rritur. Mendoj se ajo që më prezantoi Lille ishte projekti më i mirë, është një nga klubet më të mira në Francë. Është një krenari e vërtetë që mund të luaj këtu”, u shpreh Ethan Mbappe.