Lajme

Armend Zemaj: Situata me COVID-19 është nën kontroll

06/30/2020 23:55
nga:A. R.

Ministri i Shëndetësisë, Aemend Zemaj, ka dalë në terren për të inspektuar sesa po zbatohen masat anti-covid nga lokalet dhe kafiteritë në Prishtinë, ku në një prononcim për media tha se “nuk është e vërtetë që nuk ka vende në Klinikën Infektive dhe se situata është nën kontroll”.

“Rastet janë rritur nga lirimet që kanë ndodhur nga fillimi i muajit. Po tentojmë ta menaxhojmë situatën. Është nën kontroll të plotë. Ka pak keqinformim sa i përket menaxhimit të klinikave dhe mbipopullimit, nga ata që duan ta interpretojnë në atë formë. Sonte po mbështes inspektorët sanitarë. Kam paralajmëruar se s’do të ketë falje për shkelësit e ligjit e s’do të lejojmë që ata të na kthejnë në izolim”, ka thënë ai. “S’është e vërtetë që Klinika Infektive s’ka vende. S’është e vërtetë që QKUK-ja është para kolapsit. Janë gënjeshtra e manipulime të dashakeqëve. Kemi vende të mjaftueshme, por dhashtë Zoti të mos kemi nevojë për vende. Kemi shtretër, respiratorë, staf të përgatitur profesional që po bën punën maksimalisht 24 orë me përkrahjen e MSH-së, Qeverisë së Kosovës dhe akterëve të tjerë”.

Aktualisht në Kosovë janë 1250 aktive me Covid-19, nga ku janë regjistruar 51 vdekje.