Sporti

Arijan Topallaj, luftëtari shqiptar që synon majat e suksesit në UFC

04/24/2021 20:51
nga:Mergim Rreci

Sportet luftarake kanë qenë tradicionalisht të preferuara për shqiptarët nga ku kanë dalur edhe shumë sportistë që kanë prekur majat e suksesit.

Arijan Topallaj, një shqiptar i lindur e i rritur në Gjermani është një talent i jashtëzakonshëm që po shkëlqen me paraqitjet e tij në MMA, shkruan GazetaBlic.

22 vjeçari me prejardhje nga Drenica, por i lindur në Schwarzwald të Gjermanisë, e ka nisur mbarë karrierën e tij në këtë sport, atje ky synon që një ditë të jetë njëri ndër emrat e krenarisë për çdo shqiptarë në botë.

Që nga fëmijëria ai e ka shfaqur pasionin e tij të madh për garat luftarake, kurse që tre vjet është aktivizuar në klubin “Planet-eater” ku pronar dhe trajner është Peter Sobota, luftëtari më i mirë gjerman i cili ka luftuar për disa vite në UFC.

Topallaj ka deri më tash tri ndeshje të zhvilluara në oktagon, ku të parën e fitoi me pikë, ndërsa të dytën dhe të tretën e fitoi me nokaut.

Luftën e tretë e zhvilloi sot duke e detyruar kundërshtarin që ta dorëzoi luftën për shkak se e kishte nën kontroll të plotë, me të ashtuquajturën brenda këtij sporti “Anaconda Choke”.

Topallaj u deklarua shumë i lumtur për fitoren e tij në një prononcim për GazetaBlic Sport.

Ai tha se është i lumtur me fitoren e tij si dhe konfirmoi që tashmë do të udhëtojë në Suedi, atje ku për 1 muaj do të qëndrojë për ushtrime në kampin e Ilir Latifit.

“Jam shumë i lumtur për fitoren time të sotme dhe natyrisht më shumë për shkak se kam arritur që përgatitjet e mija t’i dëshmoi edhe sot në ndeshje. Gjithçka shkoi sipas planit tim. Kam pasur disa vështirësi të mëdha në përgatitje e ushtrime në saje të pandemisë dhe kufizimeve që janë në Gjermani” tha fillimisht Topallaj për GazetaBlic Sport. 

Javën e ardhshme do të udhëtojë për në Suedi, atje ku do të bashkangjitem në kampion e Ilir Latifit, më të suksesshmit për mua në këtë sport. Atje do të qëndrojë rreth 1 muaj dhe do të jetë kënaqësi e madhe për mua për faktin se Ilir Latifi është edhe idolli im. Besoj që kjo do të më ndihmojë edhe në hapat e ardhshëm të karrierës time” përfundoi Topallaj.

Pavarësisht se është lindur dhe rritur në Gjermani, Topallaj vazhdimisht ka qenë i lidhur ngushtë me vlerat e mëdha kombëtare shqiptare. Flamuri kuq e zi është pjesë e tij në secilën luftë që ai e zhvillon dhe natyrisht ndjesia e tij për të është e madhe.

Në bazë të filleve të tij të para në këtë sport pritet shumë nga ana e tij dhe pse jo që një ditë të jetë edhe me suksese kulminante në nivelin më të lartë të këtij sporti, në UFC.

/GazetaBlic/