• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Arifi për Albin Kurtin e VV-në pas pranimit të Zajednicës: “Atë që e kanë pështy për një kohë të gjatë, janë duke e lëpi”

11/06/2023 12:37
nga:Gazeta Blic

Ish- kryengociatori në dialogun Kosovë- Serbi, Avni Arifi duke e komentuar pranimin e Asociacionit nga ana e VV-së dhe Kurtit, tha se “atë që e kanë pështy për një kohë të gjatë, janë duke e lëpi”.

Sipas tij, Kosova i ka humbur 10 vite duke u marrë me këtë temë.

“Asociacioni kur është pranuar është marrëveshje ndërkombëtare. Kosova në këto 10 vite ka humbur shumë në kuptim të asaj që e ka dëmtuar imazhin e saj por edhe funksionalitetin e saj premtimi i paimplementuar”, thotë ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë gjithçka që ta heqë topin e presionit nga territori i saj.

“Duhet të kthehet dhe Serbia sepse Serbia është fajtore për të gjitha, përndryshe unë e kam bindjen që Serbia kurrë s’ka qenë e interesuar që të implementohet Asociacioni por e ka përdorur si instrument, në njërën anë ta dëmtojë Kosovën si një vend që nuk po i plotëson obligimet ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe si një instrument shumë efikas për ndarjen e shoqërisë kosovare. Mos harro, njerëzit në Kosovë janë të ndarë në tradhtarë, ata që e përkrahin Asociacionin dhe jo tradhtarë, që është një qasje krejtësisht artificiale e ndërtuar”, tha ai për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic.

Ai vlerëson se Kosova është ngutur me marrëveshje të Brukselit dhe të Ohrit.

“Në Marrëveshjen e Brukselit në vend se të gjitha argumentet ose gjithë dokumenti të konsiderohej i pranuar vetëm nëse elementet e saj implementohen, aty në mënyrë eksplicite marrëveshjet e Brukselit i kanë ndarë, secili obligim është i pavarur nga njëri tjetri dhe besoj që ky është ndër gabimet më të mëdha që ka bërë Qeveria e Kosovës në marrëveshjen e Brukselit. Tash këto janë obligimet që dalin janë të pavarura, megjithatë Kosova në të kaluarën ka besuar në bashkësinë ndërkombëtare dhe besimi që ka pasur në të i është shpaguar dhe unë nuk besoj se Serbia do të bëjë çkado qoftë drejt njohjes së Kosovës, por ne kontratat nuk duhet t’i bëjmë me Serbinë por bashkësinë ndërkombëtare”.

“Një fjalë popullore thotë “atë që e kanë pështy për një kohë të gjatë, janë duke e lëpi”. Është i njëjti Asociacion, bile mund të ketë edhe elemente më të rënda dhe nuk ka të bëjë me realitetin, përveç asaj, çfarë dush Asociacioni të jetë, Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk është pozicionuar për ndonjë lloj të vetëvendosjes por qëndrim politik i tyre ka qenë asnjë lloj Asociacioni. Dua ta citoj, kryeministri ka thënë “të gjithë ata janë ata për Asociacion janë serbofil”, kurse Glauk Konjufca ka thënë “As ksi, as asi”, as me kompetenca, as pa kompetenca”, thotë Arifi.

Pra, shton ai, dokumenti pika kryesore me të cilën i ka fituar zgjedhjet kryesore Lëvizja Vetëvendosje është se iu ka garantuar qytetarëve të Kosovës se nuk do të ketë asnjë lloj Asociacioni, kjo është e vërteta. Tash, sipas tij, njerëzit mund të mundohen ta zbusin pak por kjo është e vërteta.

“Ai flet për parime. Herën e kaluar kish thënë se liderët e mëdhenj nuk i shkelin parimet e veta, japin dorëheqje. Nëse me të vërtetë është ashtu, parimi kryesor kur e sheh Kurtin del Asociacioni dhe fjala e dhënë se nuk do ta implementojë. Pra, nëse me të vërtetë ka menduar se është lider i madh dhe parimet nuk shkelen, atëherë ai vetvetiu do të dorëhiqej. Mirëpo, në anën tjetër se a do të ndodhë apo do të shkarkohet, nuk ka kush e shkarkon, opozita nuk i ka numrat në Parlamentin e Kosovës, kurse ai është duke iu gëzuar një momenti të një popullizmi interesant në shoqërinë tonë ku me asgjë nuk vlerësohet performanca ndaj Kurtit, por ekziston një situatë e fansave të futbollit, njerëzit janë përcaktuar për të dhe nuk mendojnë në asnjë të arritur sektoriale, sepse në asnjë sektor Kosova nuk ka shënuar asnjë progres në tri vitet e fundit. Është një status quo që po zgjasin edhe 10 ose 15 vite në Kosovë dhe është vetëm vazhdim i status quo-së”, thotë ai.