Lajme

Ardian Gjini: Kurti nuk do t’i marrë 500 mijë vota – ai dëshiron monizëm, të kontrollojë çdo gjë

12/21/2024 18:28
nga:G B

Kryetari i Komunës së Gjakovë, Ardian Gjini, njëherësh nënkryetar i AAK-së, në një intervistë me Astrit Gashin në Blic Interview, ka thënë se fjala e Kurtit është mohuese, arrogante dhe fyese ndaj të tjerëve.

Gjini që është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, thotë se Kurti është monist, e do monizmin.

“Krejt çka është duke bërë Albin Kurti tash është arrogante, fjala e tij ka qenë mohuese, arrogante, fyese ndaj gjithë të tjerëve, një person që ka qenë për 5 vjet në pushtet dhe s’ka çka t’i thotë elektoratit përpos që t’i fyejë të gjithë ata që mendojnë ndryshe prej tij dhe ata të gjithë sipas tij janë armiq të tij dhe të shtetit. E nëse dikush në Kosovë nuk e ka kuptuar çka do të thotë monizëm, kjo është, me qenë i egër i ashpër ndaj tjerëve”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Kurti nuk do t’i marrë 500 mijë vota siç ka kërkuar.

“Nuk do t’i marrë fillimisht gjysmë milioni vota. Ai e gjen lojën me fjalë, atij po i duhen 500 mijë vota për të qeverisur vet krejt, për t’i ndërruar gjyqtarët e prokurorët e t’i bëjë vet çfarë të dojë, se është monist, ai do që t’i kontrollojë krejt, sloganin e kaluar e ka pasur “Krejt dhe drejt”, kjo drejt i ka rënë, është parë që është i padrejtë, ai do monizëm, nuk do mendim ndryshe, ide ndryshe e as kritikë”, është shprehur Gjini.

Ai shton se Kurti po kërkon besimin e qytetarëve por atëherë e ka humbur dhe po kërkon vota si kredi në bankë.

“Nuk ka shkuar në bankë t’i kërkojë 500 mijë, ka kërkuar vota, besim të qytetarëve, atë e ka humbur. Në zgjedhjet e kaluara çdo i dyti qytetar ka votuar për Kurtin. Këtij po i pengon që Kosova ka garancione kushtetuese që një pushtet mos ta cenojë ekzistencën e një pakice të përkohshme politike ose një zëri kritik në media, ose Gjykatën Kushtetuese, po i pengojnë të gjitha sepse ai dëshiron të qeverisë si në shtet autokrat dhe jo demokratik dhe në këtë pjesë është interesant që po i kërkon 500 mijë vota sikur të shkojë në bankë për kredi, por po thotë i dua 500 mijë vota”, ka deklaruar Ardian Gjini për Blic Interview.

Ai shton se Kurti i kërkon 500 mijë vota dhe nuk i kanë mjaftuar 50 për qind sepse dëshiron t’i ndërrojë prokurorët e gjyqtarët, derisa vlerëson se premtimet e tij kanë mbetur vetëm premtime dhe mashtrime ndaj popullit, por populli e ka kuptuar atë dhe do të votojnë më 9 shkurt.

“Nuk i kanë mjaftuar 50 për qind sepse Kushtetuta e Kosovës i ka disa garanca dhe ky po mendon se duhet rritur shumicën potencën politike për t’i fshirë këto kufizime. E dini që në Kuvend ka folur për zgjedhjen e Kryeprokurorit të shtetit, për çka Kushtetuta nuk ia lejon të përzihet dhe ai në foltore thotë se unë s’po dua, se i kam 50 për qind. Kjo e tregon mendësinë e një njeriu që nuk ka konsiderata për demokracinë e as njerëzit tjerë dhe të krijohet bindja që ai nuk di kë prej popullit ta urrejë sepse i ka mbetur në fyt ai 50 përqindëshi që nuk e ka votuar. Sjelljet janë brutale. Qytetarët në 2021 gjysma e elektoratit që kanë votuar e kanë pasur një shpresë, kanë besuar për shkak të narracionit se Kosova është shkatërruar, etj., dhe është ofruar krejt çka kanë dashur njerëzit, pa strategji e ide por vetëm me premtime për çkado që ata duan. Ai në fushatë nuk është sjellë si udhëheqës i shtetit dhe i ka pyetur turmën se nga duan të shkojnë por pasi i ka marrë votat më nuk i ka pyetur. Ky e ka zhgënjyer elektoratin. Ai në fushatë ka thënë se s’do të ketë dialog pa u zbardhur fati i të pagjeturve dhe krejt mandatin nuk është folur për ta, ndërsa tani 1 muaj e gjysmë para zgjedhjeve është bërë një lloj marrëveshje për të pagjeturit. Krejt këto mashtrime kanë ndodhur, populli i Kosovës i di, sa do të reflektojë kjo në votë do ta shohim, bindja ime është se do të reflektojë shumë. Votuesi i Kosovës nuk është as i poshtër e as i pamençur, as çka i thonë këta analfabet funksional, votuesi ka besuar në disa tema ky na pat bërë edhe neve të besojmë. Vota e qytetarëve është pronë e tyre dhe me 9 shkurt do ta dorëzojnë diku për 4 vjet dhe kur e dorëzojnë për 4 vjet s’mund ta kthejnë”, ka thënë Gjini./Gazeta Blic/