Sporti

Arbër Zeneli kontribuon me gol në fitoren e Elfsborgut – shpallet më i miri i ndeshjes

08/03/2025 18:29
nga:Genita C

Elfsborgu ka marrë fitore me rezultat të ngushtë 2-1 në udhëtim ndaj Hackenit në kuadër të javës së 18-të në elitën e futbollit suedez.

Në këtë ndeshje pati një përballje futbollistësh shqiptarë, pasi në taborin e mysafirëve ishin vëllezërit Arbër dhe Besfort Zeneli, teksa në portë për vendasit ishte Etrit Berisha.

Zeneli u inkuadrua në fushë në minutën e 59-të të ndeshjes, teksa golin e realizoi në minutën e 87-të.

Goli dhe paraqitja e tij në këtë sfidë, bëri që ai të vlerësohej si lojtari më i mirë i ndeshjes nga Sofascore me notën 7.8.

30-vjeçari për 32 minuta lojë pati gjashtë pasime të kompletuara, dy pasime kyçe dhe një rast të madh për gol të krijuar.