Futbollisti kosovar, Arbër Hoxha, ka ndërruar skuadër, por jo edhe kampionat.
Slaven Belupo, ka bërë të ditur sot se ka trasferuar sulmuesin e kombëtares së Kosovës, Arbër Hoxha (23 vjeçar) nga Lokomotiva e Zagrebit, me të cilin ka nënshkruar kontratë trevjeçare, shkruan GazetaBlic Sport.
Hoxha kaloi te Lokomotiva verën e kaluar, por për skuadrën e Zagrebit bëri vetëm tri paraqitje. Ai tashmë ka ndërruar ambient dhe shpreson se ka ardhur momenti për të “shpërthyer” në Kroaci, ku më pas edhe do ta mirëpriste ftesën nga Kombëtarja e Kosovës.
“Mendoj që po t’u i marrë parasysh rrethanat që kanë ndodhë tek klubi që isha më heret, që s’ja vlen as m’i diskutu, tani ka ardhë momenti me pas minutazh, me bo sezon të mirë dhe normal me kënaqësinë më të madhe të jem pjesë e kombëtares”, tha fillimisht Arbër Hoxha për ‘GazetaBlic Sport’.
Sulmuesi 23 vjeçar potencoi se po ndihet shumë mirë për kalimin tek Belupo, ndërsa pritjen në skuadër e konsideron si perfekte nga stafi dhe bashkëlojtarët.
“Ndihem shumë mirë, sot zhvillova stërvitjen e parë me skuadrën. Më kanë pritur perfekt dhe i falënderojë djemtë e skuadrës”, vazhdoi ai.
Në ditën e sotme, ish trajneri i tij, Ismet Munishi ka postuar një fotografi, ku edhe kumtoi lajmin se ai ishte duke kërkuar transferimin e Hoxhës tek Gjilani – por një gjë e tillë nuk ndodhi. Sulmuesi e konfirmon një gjë të tillë – teksa tregon edhe për respektin që ka për “babën” e futbollit kosovar.
“Po, është e vërtetë, sepse unë bisedoj rregullisht me trajnerin Ismet Munishi, marrë këshilla, motivime e shumë gjera tjera pozitive edhe e çmoj shumë si njeri, e pastaj si trener dhe e falenderojë për gjithçka që ka bo për mua, edhe njëkohësisht ndihem shumë mirë kur te njerzt lë përshtypje të mirë, gje që kam me vazhdu me bë edhe në të ardhmen”, përfundoi Hoxha.
/GazetaBlic Sport