Lajme

Arben Ahmeti: Vjosa Osmani është personi më i pushtetshëm në Kosovë, s’ka nevojë ta mbrojë Prindon Sadriu!

02/10/2022 10:19
nga:Gazeta Blic

Po bëhen më shumë se 36 orë nga sulmi i zotëriut të parë të shtetit, Prindon Sadriu, ndaj mediave kosovare dhe ende nuk ka asnjë reagim nga ana e bashkëshortes së tij – presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Ky mosreagim i presidentes Osmani, prodhoi reagime nga ana e gazetarëve dhe shoqërisë civile, të cilët po kërkojnë nga ana e saj distancim ndaj deklaratave të burrit të saj – diplomatit Prindon Sadriu.

Përtej kësaj, deklarimet e vazhdueshme nga ana e Prindon Sadriut, po shihen edhe si dëme që janë duke u shkaktuar vetë presidenten Vjosa Osmanin.

Gazetari, Arben Ahmeti, në një bisedë për Gazeta Blic, thotë se presidentja Vjosa Osmani, nuk ka nevojë për mbrojtje nga burri i saj – Prindon Sadriu.

Ahmeti shton se të qenurit burrë i presidentes Osmani, i jep nder Prindon Sadriut, por nuk i jep kurrfarë të drejte kanunore atij.

Tutje, ai thotë se Prindon Sadriu padashje është duke minuar personalitetin e presidentes e cila është dëshmuar si politikane e fuqishme.

“Presidentja Osmani nuk ka nevojë për mbrojtje nga burri. është personi më i pushtetshëm në Kosovë dhe ka pasur edhe mbështetjen popullore në zgjedhjet e 14 shkurtit. Të qenurit burrë i saj, i jep nder z.Sadriu, por kurrfarë të drejte kanunore. Edhe presidentët e kaluar kanë pasur bashkëshort edhe bashkëshorte, por nuk i kemi parë duke bërë sulme të tilla ndaj mediave. Z.Sadriu, padashje është duke minuar personalitetin e presidentes e cila është dëshmuar si politikane e fuqishme”, ka thënë Ahmeti për Gazeta Blic.

Lidhur me deklaratën e Prindon Sadriut, se “mediat janë ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pati reagime të ashpëra.

Kjo pasi që, po kërkohet dorëheqja dhe marrja e masave ndaj Sadriut, edhe për shkak që i njejti është zyrtar shtetëror, duke i mbajtur dy pozita: atë të shefit të stafit diplomatik të Kosovës në Shkup dhe rezervist në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mirëpo, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, si përgjegjëse për marrjen e masave ndaj dipomatëve në rast se ata shkelin rregulloren e brendshme të MPJD-së, e ka zgjedhur heshtjen.

Gazeta Blic, dërgoi të mërkuren pyetje në ministri të Donika Gërvallës, për të marrë përgjigje se cilat janë masat ligjore për diplomatët në rast se ata përdorin gjuhë jodiplomatike ndaj kujtdo, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në reagimin e tyre, thanë se kjo gjuhë e përdorur nga ana e Prindon Sadriut, po e bëjnë edhe më të vështirë punën e gazetarëve kosovarë.

@Gazeta Blic

Presidenca, kryeministria dhe MPJD-ja heshtin për skandalin e Prindon Sadriu!