Lajme

Apeli kthen në rigjykim rastin e ish-zyrtarit qeveritar

03/13/2018 16:32
nga:Q F

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtorit të Zyrës për Buxhet dhe Financa në Zyrën e kryeministrit, Zahir Bajrami dhe djalit të tij, Ardianit.

Ish-zyrtari qeveritar ishte shpallur fajtor, para disa muajve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe ishte dënuar më 1 vjet e 6 muaj burgim kurse djali i ti, për veprën penale të mashtrimit ishte dënuar me 1 vjet burgim më kusht.

Apeli ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës me arsyetimin e aktgjykimit dhe përmbajtjen e shkresave të lëndës, ngase nuk janë paraqitur arsyet mbi faktet vendimtare, transmeton Klan Kosova.

Sipas aktakuzës, Bajrami përmes djalit të tij Ardianit më 9 shkurt të vitit 2017 i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, duke i premtuar në këmbim ndikimin në Gjykatën e Apelit që Muslijit t’i hiqet dënimi me burgim.

Në aktakuzë thuhet se Adrian Bajrami në fillim ia mori Muslijit 10 mijë euro dhe pastaj ia kërkoi edhe 10 mijë euro tjera për dënimin prej tre vjetësh burgim që i ishte shqiptuar nga gjykata.