Sporti

Andres Brinez: Drita ka një ekip të fortë, por ne do të tentojmë të shkruajmë historinë

07/25/2020 20:25
nga:Lorik J

Mesfushori i Inter Club d’Escaldes, Andres Brinez mendon se skuadrën e tij e pret një duel i vështirë ndaj Dritës, pasi klubi kosovar është mjaft cilësor.

Klubi i Inter Club d’Escaldes do të përballet me Dritën me 8 gusht në Nyon të Zvicrës në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, raporton GazetaBlic Sport.

Mesfushori kolumbian i kampionit të Andorrës tha se e di që Drita është një skuadër e fortë, por edhe ata kanë lojtarë shumë cilësor dhe me përvojë në rradhët e tyre.

“E di se Drita është kampione aktuale e Kosovës dhe se ata ishin në Ligën e Kampionëve në të kaluarën. Drita është një ekip i fortë. Të jesh kampionë aktual është shumë e rëndësishme. E njëjta gjë është edhe për ne, ne jemi skuadra më e mirë në Andorra, kemi lojtarë që luajnë në ekipin kombëtar, të gjithë ata gjithashtu janë shumë të rëndësishëm”, tha fillimisht ai për GazetaBlic Sport.

Brinez me titullin kampion të Interit në Andorra.

Brinez theksoi se skuadra e tij do të jap maksimumin që të shkruajë historinë në Ligën e Kampionëve, pasi për ta është hera e parë që marrin pjesë në parakualifikimet e këtij kompeticioni.

“Ky nuk është momenti për të menduar për favoritin. Ne luftojmë që të japim të gjithçka nga vetja dhe do të përpiqemi të shkruajmë emrin tonë në histori”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/