Lajme

Andin Hoti del kundër Hashim Thaçit: Tash, s’mund të flitet për shkëmbime territoresh!

08/04/2018 15:59
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti thotë se nuk mund dhe nuk duhet të diskutohet për shkëmbim territoresh në këtë pikë të dialogut me Serbinë.

Hoti në prononcimin dhënë për “Gazeta Blic”, tha se çështja e shkëmbimit të territorit edhe mund të hapet në të ardhmen.

Sipas tij parakusht janë normalizimi dhe njohja reciproke e pastaj çështjet tjera.

“S’mund të ketë ndarje dhe s’mund të diskutohet as për shkëmbim territoresh. Shkëmbimi edhe mund të hapet në të ardhmen nëse vlerësohet me interes për qytetarët dhe të dy vendet, por normalizimi dhe njohja reciproke janë parakusht. Shkëmbimi mund të diskutohet vetëm në nivel të barabartë të dy shteteve sovrane, e ajo që shohim në shtatë vjet dialog, fatkeqësisht është vazhdim i politikës ekspansioniste, agresive dhe provokative të Serbisë”, ka deklaruar Hoti për Gazeta Blic.

Hoti i PDK-së ka komentuar procesin dialogut duke thënë se me qëllim po krijohet mjegull.

Një tjetër çështje për të cilin Hoti ‘lufton’ është që Serbia është të jap përgjigje për fatin e të pagjeturve.

“Procesi i dialogut duket se ka hyrë në fazën e fundit dhe me qëllim po mjegullohet, po krijohet huti dhe shqetësim i panevojshëm te qytetarët. Çështja natyrisht se është e ndërlikuar dhe s’mund të definohet me përgjigje kategorike, por zgjidhja e vetme për paqen dhe të mirën e dy vendeve tona është njohja e Kosovës, respektimi i marrëveshjeve të deritashme dhe përgjigjja e Serbisë për fatin e të pagjeturve”, u shpreh ai.

“Në fund të fundit këtë zgjidhje e ka legjitimuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në bazë të kërkesës së vetë Serbisë tetë vjet më parë”, tha ai.

Andin Hoti thotë se ‘molla e sherrit’ për marrëveshjen finale është Asociacioni.

“Sidoqoftë, mendoj se diskursi aktual politik po e shmang temën kryesore dhe mendoj që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është “molla e sherrit” në marrëveshjen finale”, ka thënë ai për Gazeta Blic.

Deputeti i PDK-së ka kritikuar partitë opozitare duke thënë se për inate personale, mund ta rrezikojnë në raporton me Serbinë.

“Më vjen keq për klasën politike e cila vazhdon të mbahet peng nga inate primitive dhe kjo mund të na rrezikojë në raport me luftën e Serbisë e cila tenton për të fituar autonomi nëpërmjet asociacionit”, ka thënë ai.

Hoti ka përmendur se ai është angazhuar në Kuvend për konsensus rreth dialogut dhe unitet të faktorit politik pa dallim

“Mbi një platformë serioze që garanton dhe jo që e cenon vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën”, tha ai.

Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti

“Gazeta Blic”, ka kontaktuar edhe me Nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hoti, i cili ka thënë se nuk do të këtë ndarje të Kosovës, përkundrazi, ai thotë se Serbia përveç se do t’i jap Kosovës Luginën e Preshevës do t’i jap edhe Sanxhakun.

Hoti thotë se këto territore i takojnë shtetit të Kosovës, andaj, nuk duhet të ketë mëdyshje për këtë çështje.

“Ndarja dhe këmbimi i territoreve do te thotë ndarje të Serbisë sepse Serbia ka për ti dhënë Republikës së Kosovës Luginën e Preshevës dhe Kosovës i takon Sanxhaku”, ka deklaruar Hoti për Gazeta Blic.

“Kjo është marrëveshja që presim të realizohet në mënyrë që të kemi paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.

Gjatë bisedës për “Gazeta Blic”, Hoti tha se rruga e vetme për arritjen e marrëveshjes është njohja reciproke e dy shteteve, Kosovë- Serbi.

“Njohja reciproke e dy shtete sovrane e të pavarura në kufijtë aktual. Më pas mund të bisedojmë dhe duhet të bisedojmë për çështje për të cilat mund të merremi vesh në cilësinë e dy shteteve të pavarura. Kjo është rruga në qoftë se Serbia dëshiron një normalizim me Kosovën”, ka thënë ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ndryshe, në konferencë për media që u mbajt në ditën e djeshme, Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk do të ketë ndarje, as shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por korrigjim kufijsh.

Sipas Presidentit Thaçi kështu Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, kurse autonomi për veriun nuk do të ketë.

“Mendoj që ka ardhur koha që ta fuqizojmë rolin dhe vullnetin e qytetarëve tanë. Kemi mbushur ende interesin e qytetarëve. Nuk ua kemi mundësuar të drejtën për referendum. Unë jam konsultuar me të gjithë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që tua mundësojmë shprehjen e të drejtës me referendum”, ka thënë Presidenti.

Thaçi ka thënë se sidomos, në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e konsideron si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm, sidomos tani kur jemi dëshmitarë të divergjencave të theksuara ndërmjet partive parlamentare në parlamentin e Kosovës për dialogun dhe marrëveshjen eventuale përfundimtare”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë serb Aleksandër Vuçiq ka thënë se një zgjidhje kompromisi për Kosovën nuk është në horizont dhe se nuk është optimist për këtë çështje.

Në pyetjet e gazetarëve pas një takimi që pati me patriarkun Irinej në Beograd, për atë se cila është zgjidhja përfundimtare e kompromisit për Kosovën për të cilën vazhdimisht po flitet, Vuçiq tha:

“Përfundimisht do të jetë atëherë kur të përfundojë, jo para kësaj. Për këtë do të flas nëse është e mundur të arrihet një zgjidhje e tillë. Tani një zgjidhje të tillë nuk ka. A është në horizont? Mendoj se jo. Nuk jam optimist”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se ditëve të fundit ka një ndërhyrje të agjenturave të llojllojshme, prandaj Serbi ka ardhur në një situatë për të mbrojtur veten nga thashethemet.

/GazetaBlic/

06/16/2019 20:22

Zyrtarja e LDK-së denoncon Borovcin: Këta janë emrat e njerëzve të AAK’së e Nismës që prishën Kuvendin