Sporti

Ancelotti hesht kritikët: Ndeshjet nuk fitohen me posedim, por me gola

12/08/2021 08:07
nga:Mergim Rreci

Carlo Ancelotti foli pak edhe për kritikët e Real Madridit pas fitores 2-0 ndaj Interit në Ligën e Kampionëve.

Madrilenët janë kritikuar për posedimin e topit në ndeshjet e fundit, teksa kjo u vërejt edhe ndaj Interit në një pjesë të lojës, por Ancelotti nuk mërzitet për një gjë të tillë, pasi thotë se ndeshjet fitohen me gola, jo me posedim, përcjell GazetaBlic Sport.

“Nuk fiton me posedim, fiton nëse shënon gola”, tha fillimisht Ancelotti për Sky Sport Italia.

“Kur Interi kishte më shumë kontroll në pjesën e parë, ne ende rrezikonim relativisht pak dhe nuk kishim nevojë të bënim ndonjë gjë të jashtëzakonshme, veçanërisht pasi morëm epërsinë”, vazhdoi ai.

“Ne ishim të rrezikshëm në kundërsulme, mund të kishim një gol tjetër para pushimit, kështu që gjithçka shkoi shumë mirë. Njerëzit janë pak kritikë këtu dhe ankohen se Real Madridi nuk ka posedimin e topit, por ju nuk fitoni ndeshje me posedim, fitoni nëse shënoni gola”, përfundoi Ancelotti.

/GazetaBlic Sport/