Lajme

Analisti politik: Oferta e LDK-së e shkel Kushtetutën, kështu duhet të veprojë Albin Kurti!

01/15/2020 16:03
nga:B. D

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) gjatë ditës së sotme i është përgjigjur ofertës së Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ku LDK po insiston që ministritë të ndahen 5 me 5, e kryeparlamentari t’i kthehet përsëri LDK e më pas kur ta marr postin e Presidentit, kryeparlamentari t’i kthehet përsëri VV-së, shkruan GazetaBlic.

Analisti politik, Ramush Tahiri, në një prononcim për GazetaBlic ka thënë se LDK po bën shkelje të Kushtetutës së vendit, pasi që nuk i takon asaj as kryeparlamentari dhe nënkryetari i dytë siç po e kërkon ajo.

Tahiri thotë se me Kushtetutë nuk ka nënkryetar të dytë apo të tretë, por janë vetëm nënkryetarë.

“LDK ka bërë ofertën e saj ku kërkon kryeparlamentarin dhe kërkon siç thotë ajo nënkryetarin e dytë të Kuvendit, me Kushtetutë nuk i takon kryeparlamentari dhe nënkryetari i dytë sepse nuk ka nënkryetar të dytë ata janë të gjithë nënkryetarë ose nuk e di unë, ose ata po bëjnë që nuk e dinë Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit”, tha Tahiri.

“Me kushtetutë dhe rregullore të Kuvendit është e specifikuar partia e parë fituese në këtë rast VV i ka dy anëtarë të kryesisë dhe njërin prej tyre e propozon për kryetar, Gjykata më 2014 kur u bë Isa Mustafa me 83 vota ka tregu që nuk mundet sepse balanci i forcave politike apo grupeve parlamentare është në bazë të koalicioneve parazgjedhore dhe jo paszgjedhore”, shton ai.

Tahiri tha se me këto kërkesa po bëhet shkelje e Kushtetutës dhe më pas mund të ketë zvarritje të procesit ku Gjykata Kushtetuese mund ta hedh poshtë një gjë të tillë.

“Kjo kërkesë bie ndesh me Kushtetutën dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, LDK pse po e bën këtë apo don me aktivizu dikujt Gjykatën Kushtetuese dhe me rrëzu këtë vendim pas disa muajve, unë nuk e di prapaskenën por po flas sipas asaj që po e shoh”, tha ai.

Tahiri tha se nuk është i sigurt se a do të pranoj VV të jetë bashkëpjesëmarrje në shkeljen e LDK-së që po pretendon ta bëj duke marrë kryeparlamentarin.

“A do e pranoj Lëvizja Vetëvendosje dhe a do bëhet bashkëpjesëmarrje në këtë shkelje, nuk e di, dhe nuk e di a do e votojnë të tjerët deputetë në Kuvend”, tha Tahiri.

“VV a do përjashtoj dy anëtarë të saj dhe me lënë veç një, LDK me ruajt atë që e ka kryetarin e kryesisë dhe me shtu një atë nuk e di, varet nga pazari politik, është pazar politik që anashkalon ligjin dhe Kushtetutën, nuk dihet se a po bëhet kjo me blloku procesin apo se përnjëmend mendon se kryetari i Kuvendit është pjesë e pushtetit legjislacion me të vërtetë nuk e di dhe nuk ma merr mendja se LDK e di”, shtoi ai për GazetaBlic.

Tahiri tha se LDK me këto kërkesa po e kap shtetin dhe institucionet e saja ku po bëhet pazar politik.

Ai tregon se po të ishte në vend të VV-së cilat do ishin hapat që do kishte ndërmarrë, kështu përgjegjësia të bie pikërisht në LDK-në e cila po e shkel Kushtetutën.

“Tani mjafton një dorëheqje e Glauk Konjufcës dhe një pranim dorëzim dhe me u kry kjo mbledhja e Kuvendit, ama përpara nënkupton që në atë mbledhje të kryhet edhe qeveria, nuk duhet njëra me kalu dhe tjetra mos me kalu dhe nënkupton që Kurti ta marr mandatin dhe të hyj në Kuvend me marrëveshje me LDK”, thotë ai.

“Kjo është kapje e shtetit me marrëveshje LDK po del hapur me kapje shteti dhe kapje të institucioneve nga partia siç është bërë ky pazari tregon se tani për tani”, tha Tahiri.

“LDK po qet kushte dhe nuk po do marrëveshje, por tani nuk e di a do pranohet a jo varet nga VV, po të isha në vend të VV do e kisha pranu me arsyetimin kushtetues, do thosha se ka shkelje të këtyre neneve por që partneri politik po kërkon dhe ne me vetëdije po e bëjmë dhe më pas pasojat i bartë partneri e jo ti”, shton Tahiri për GazetaBlic.

06/02/2020 21:15

U shkarkua nga Kurti, por Agim Veliu sërish do ti kthehet ministrisë së vjetër!