Kreu i VV-së, Albin Kurti, i ka dërguar sot letër kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për t’u takuar në ditët në vijim, për konsultime para konstituimit të Kuvendit dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë.
Lidhur me këtë, analisti politik, Arbnor Sadiku, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se VV ka ngecur te pakicat dhe Nisma lidhur me ndarjen e pushtetit.
“E para, duhet të konstatohet se LVV ka pasur pajtim parimor me pakicat dhe Nismën, dhe i kanë pasur 62 apo 63 vota, por, kur kanë ardhur në hapin e dytë të ndarjes së tortës qeveritare janë prishur matematikat, sepse Nisma dhe pakicat do t’i merrnin gjysmën e ministrive dhe kryetarin e kuvendit, dhe prapë s’do të zgjedhej presidenti dhe qeveria do të ishte njëvjeçare”, thotë ai.
Sadiku thotë se ka informacione se Konjufca e Peci kanë qenë kundër një qeverie me pakicat dhe i kanë sugjeruar Kurtit që të diskutojë një qeveri me LDK-në.
“Së dyti, ka ardhur deri te kërkesa për një Qeveri më të madhe me LDK-në, fillimisht sepse unë kam informata se kundër Qeverisë së pakicës në LVV janë z.Konjufca dhe z.Peci, dhe i kanë sugjeruar Kurtit që të bëhet një Qeveri me LDK-në, ku përbrenda kësaj zgjidhje është presidenti si dhe ndarja e tortës qeveritare”, thekson ai për Gazeta Blic.
Por, sipas tij, “s’mund të përjashtohet as PDK-ja për një ofertë, nëse LDK kthen përgjigje negative ndaj LVV-së”.
Ndryshe, Gazeta Blic raportoi më herët se nga LDK nuk do të marrin pjesë në takimin me Kurtin./Gazeta Blic/