Lajme

Analisti i njohur tregon se a do të arrihet javën e ardhshme koalicioni VV-LDK

01/12/2020 17:47
nga:B. D

Takimi i radhës i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje nga VV e LDK, ende nuk është caktuar, shkruan GazetaBlic.

E në takimin e të mërkurës së kaluar, zyrtarë nga VV dhe LDK u shprehën entuziastë se marrëveshja mund të ndodhë së shpejti pasi që ka pasur lëvizje, por që një ditë më pas, në takimin e së enjtes së kaluar dy partitë patën kundëroferta për njëra-tjetrën e që nga ajo ditë më nuk ka pasur një takim mes tyre.

Analisti politik, Arton Demhasaj, në një prononcim për GazetaBlic thotë se situata politike në vend e bllokuar, e sipas tij takimet e fundit VV-LDK janë bërë shumë të vështira sa që askush më nuk po e di se çfarë po ndodhë dhe se a mundet që gjatë kësaj jave të ketë një marrëveshje mes tyre apo jo.

Demhasaj thotë se takimet mes këtyre dy subjekteve politike janë bërë të çuditshme, sapo mendohet se janë afër një marrëveshje, dikush nga këto dy subjekte del dhe e ndryshon këtë mendim duke thënë se janë larg kësaj të fundit.

“Aq vështirë është bërë nga këto takimet e VV-së dhe LDK-së që më asnjëherë nuk po dihet se çfarë po mendojnë, ndoshta bash atëherë kur nuk presim mundet edhe me pas marrëveshje, por duke marrë parasysh lëvizjet e takimeve që kanë qenë deri më tash që ka pasur oferta dhe kundëroferta nga dy partitë politike se si me dal nga ky ngërç dhe me shku në një marrëveshje dhe nuk është tejkaluar asnjëherë që me pas mirëkuptim nga dy subjektet, kështu që është vështirë të mendohet se a mundet këtë javë me ndodhë apo jo”, tha Demhasaj.

Demhasaj shtoi se është shumë e vështirë tani më të analizohen këto takime dhe se si munden të vazhdojnë pasi që VV-LDK vazhdimisht po befasojnë.

“E kam problem me analizu dhe me jap një prognozë të qartë se çfarë mundet me ndodhë, gjithçka është e paparashikueshme duke marrë parasysh këta 3 muajt e fundit”, tha ai për GazetaBlic.

Ai shton se mundet të ketë marrëveshje, por edhe e kundërta mundet të ndodhë dhe të mos ketë asnjëherë një mirëkuptim mes VV e LDK.

“Mundet me pas marrëveshje, por mundet krejt komplet me përfundu ky cikël i bisedimeve dhe mos me pas asnjëherë marrëveshje mes këtyre dy subjekteve politike”, tha ai.

Demhasaj tha se që nga takimi i fundit të enjten që kanë pasur VV-LDK, pret të ndodhë edhe një takim tjetër mes liderëve e nëse nuk ka afrim qëndrimesh atëherë që të dyja palët duhet të dalin para publikut ta pranojnë se është e pamundur të ketë marrëveshje mes tyre dhe të hapin rrugë drejt zgjidhjes, që të ketë zgjedhje ose të krijohet një Qeveri gjithëpërfshirëse.

“Në takimin e fundit kanë qenë dy oferta nga LDK dhe VV, unë po pres edhe një takim të zhvillohet në mes dy liderëve me pa se a kanë pasur apo jo ofrim të qëndrimeve dhe nëse nuk ka ndodh kjo atëherë që të dy janë të obliguar të dalin para publikut dhe të sqarojnë opinionin se nuk po arrijnë të kenë marrëveshje dhe ta lënë ose të shkoj vendi përsëri në zgjedhje ose të hapin rrugë që të krijohet një Qeveri gjithëpërfshirëse me kalu nga kjo gjendje që jemi sot sepse kështu nuk mundemi me vazhdu të bllokuar sepse edhe 1 muaj e gjysme duhet të miratohet Ligji për buxhet ose në mars do të jetë i bllokuar”, tha ai.

Demhasaj tha se që të dyja partitë nganjëherë po japin shenja pozitive për vazhdimin e bisedimeve kështu duke rritur edhe entuziazmin e krijimit të Qeverisë së re, por që nuk shkon larg dhe ky entuziazëm bie përsëri në tokë.

“Entuziazmi njëherë është pozitiv që një marrëveshje mund të ndodhë, ndërsa pas 2-3 ditëve entuziazmi është negativ që po mundësohet arritja e marrëveshjes, në një anë pamë Hazirin që tha se një marrëveshje është e mundshme e në anën tjetër Veliu thotë se marrëveshja është larg, është problem me analizu këtë situatë se çfarë është duke ndodh”, tha ai.

“Janë dy subjektet e para në zgjedhjet e 6 tetorit, kanë harmonizu programin e tani kanë mbet në ndarjen e pozitave, kur po shohim se nuk po arrijnë të gjejnë mirëkuptim atëherë është problem me kuptu entuziazmin e tyre”, shtoi ai për GazetaBlic.

VV gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhjen parë me Qendrat e VV-së për vitin 2020, ku lideri i VV-së, Albin Kurti, ka folur për situatën politike në vend.

Kurti ka thënë se koha nuk kthehet prapa, kështu që VV nuk heq dorë nga kryeparlamentari e që tani po pret përgjigje nga LDK sa i përket ofertës së fundit që i ka bërë, ndërsa shton se qytetarët duhet të kenë durim për këtë marrëveshje pasi që me LDK-në është e vështirë të diskutohet për bashkëqeverisje.

Albin Kurti: Nuk tërhiqemi për kryetarin e Kuvendit, po presim përgjigjen e LDK-së për ofertën e fundit

05/28/2020 14:29

Arton Demhasaj: Thaçi e Kurti me gjuhën e tyre, po e çojnë vendin drejt destabilizimit!