Sporti

Analisti i njohur, Muhamet Dragusha komenton shortin e Kosovës: Izraeli kundërshtari direkt për kualifikim, besoj në kualifikim nga ky grup

10/09/2022 17:18
nga:E K

Kosova ka mësuar sot kundërshtarët e grupit për kualifikimet e rregullta të Kampionatit Evropian 2024.

Dardanët” do të jenë në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Izraelin dhe Rumaninë, Bjellorusinë, Andorën,  shkruan GazetaBlic Sport.

Kombëtarja e Kosovës pasi humbi gjasat të siguroi biletë përmes “Nations League” do të kërkojë kualifikimin nga grupi I i kualifikimeve për Kampionat Evropian.

Analisti i njohur kosovar, Muhamet Dragusha komentoi grupin e Kosovës gjatë një prononcimi për GazetaBlic Sport, duke potencuar se grupi është i vështirë duke pasur parasysh se kemi kundërshtar si Zvicra dhe Izraeli.

Shpresoj në forcat tona, duke pas parasysh që e kemi një ekip të mirë, pse jo të mos kemi edhe disa afrime të tjera dhe të konsolidohemi edhe më mirë, po shpresoj që të kemi edhe më shumë lojtarë nga liga e Kosovës pasi kampionati ynë tashmë ka arritë në një nivel tjetër, që të jenë edhe ata në këto eliminatore. Grupi është i fortë, Zvicrës ia dimë potencialin, por e kemi edhe Izraelin që është një kombëtare mjaft e fortë, po besoj që këto dy përfaqësuese janë pak më favorite se ne, përndryshe besoj në kualifikim nga ky grup“, tha fillimisht ai.

“Mendoj që me Izraelin do të luftojmë më ashpër për kualifikim”, shtoi Dragusha.

Dragusha foli edhe për takimin e veçantë me Zvicrën, aty ku luajnë edhe futbollist me prejardhje nga Kosova si, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.

“Kemi luajtur një herë ndaj Zvicrës ku takimi është mbyllë 1-1, por e dimë të gjithë që ndoshta lojtarët e Kosovës në atë ndeshje miqësore nuk e kanë dhënë 100% e tyrë, kurse këtu ata janë profesionistë dhe do ta japin maksimumin e tyre sigurisht. Shpresoj që ata të mos jenë në ditën e tyre më të mirë, shpresoj që ne të jemi në formë dhe mendoj se edhe atyre mund t’i bëjmë ballë me ndonjë barazim”, përfundoi Dragusha për GazetaBlic Sport.