Lajme

Analisti i njohur: Agim Veliu është kryeministri i dytë i Qeverisë Kurti, njeriu më i fortë i LDK-së

02/04/2020 18:36
nga:E Sh

I njohur për qëndrimin e gjatë në pushtet, Agim Veliu, në qeverinë e sapozgjedhur, është vënë në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Kundër pozitës së tij ishte shprehur bashkëpartiakja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila së fundi kishte kërkuar për vete këtë ministri. Pavarësisht kësaj, Veliu, tashmë ministër i MPB-së, po konsiderohet si kundërshtari politik më i fortë i Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës.

Analisti politik, Arton Demhasaj, ka thënë për “GazetaBlic” se Veliu e ka dëshmuar forcën e tij politike në LDK, çka e ka quajtur “kryeministër të dytë” të qeverisë Kurti.

“Njeriu më i fortë i LDK-së tash për tash në Qeverinë Kurti është Agim Veliu dhe në njëfarë mënyre ai do jetë si kryeministri i dytë i qeverisë Kurti, sepse në bazë të ministrave të LDK-së që i ka në Qeveri më tepër do i kontrolloj Veliu se sa Kurti, pikërisht për shkak të forcës politike që ka treguar që ka ai në LDK në këtë periudhën e fundit”, tha Demhasaj.

E, Qeveria Kurti e cila mori 66 vota pro krijimit dje, në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mund të ketë gjasa që të rrëzohet për shkak të zgjedhjes së presidentit vitin e ardhshëm, temë kjo e cila zgjati për muaj bisedimet mes këtyre subjekteve.

Demhasaj ka thënë se stabiliteti i tanishëm i votave në Kuvend, mund të mos jetë pas një viti, kur do të duhen 20 vota më shumë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Momentalisht duhet se ka një stabilitet në bazë të numrave që ka në Kuvend, por sfida që mund të ketë ky koalicion mund të jetë koha kur vjen zgjedhja e presidentit, sepse në Kuvend duhet të jenë 80 deputetë të pranishëm, për me e kriju kuorumin dhe me pasë mundësi për zgjedhje të presidentit, e ato vota nuk i kanë koalicioni aktual.Kjo mund të jetë sfida e parë për koalicionin që në rast se dështojnë me i siguru votat e nevojshme për me u zgjedhë presidenti, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo është sfida e parë që dikun në shkurt-mars të vitit të ardhshëm mund të ballafaqohet koalicioni”, u shpreh ai.

Analisti Arton Demhasaj | Foto: Gazeta Blic

Problem të njëjtë i sheh edhe zgjedhjet lokale, pasi sipas Demhasajt, kacafytjet e kandidatëve për kryetar të komunave nga të dyja partitë mund ta çojnë koalicionin në përfundim.

“Njëkohësisht edhe në zgjedhjet lokale, sepse në disa prej komunave në Kosovë do të ketë një ballafaqim direkt të kandidatëve të VV-së me ata të LDK-së dhe kjo mund të sjellë kacafytje mes koalicionit që mund të shkojë drejt përfundimit të kësaj qeverie. Duke theksuar se dialogu me Serbinë, taksa e luftimi i korrupsionit do mbeten sfidat kryesore për këtë qeveri, Demhasaj thotë se te Kurti është parë vullneti politik që kjo të jetë qeverisje efektive për shtetin.

Nëse ka vullnet politik dhe përzgjedhin njerëz profesionistë për me u emëru në isntitucione publike, agjencione të pavarura etj, dhe ka tendenca që prokurorimi publik me qenë transparent dhe pa ndikime partiake e politike, nëse ka vullnet me u zbatu në mënyrën e duhur këto,  mundet me fillu me pasë shenjë pozitive në këtë vend dhe qeverisja me qenë shumë më efektive. Këtë vullnet politik e ka tregu në fushatë, në parafushatë, në të gjithë jetën e tij politike qe sa vite prej kur kanë qenë në opozitë kanë dëshmu një lloj vullneti politik”, ka thënë analisti Demhasaj.

Ndryshe, me 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi, Kurti zyrtarisht mori drejtimin e qeverisë së re në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, dje. Kabineti i tij qeveritar, ka 2 zëvendëskryeministra e 15 ministra./Gazeta Blic/

03/19/2020 14:56

“Qeveria teknike, jo e mundshme, së shpejti mund të kemi një qeveri tjetër”