Lajme

Analistët tregojnë çka pritet nga takimi i sotëm Hoti-Vuçiq në Bruksel

07/16/2020 16:09
nga:A. R.

Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut Kosovë-Serbi sot pritet të zhvillohet një takim në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajçak.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës lidhur me takimin e sotëm mes delegacionit kosovar dhe atij serb thotë për klankosova.tv se ishte qenësor roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rikthimin e palëve në tryezë.

Krasniqi theksoi se zhvillimet politike në Kosovë dhe Serbi mund të kenë ndikim në këtë proces.

“Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE po rifillon pas 20 muajsh të ndërprerjes së të njëjtit, për shkak të kushtëzimit të vazhdimit të këtij procesi nga ana e Serbisë në rradhë të parë me heqjen e taksës 100% nga ana e Kosovës ndaj produkteve të importuara nga Serbia. Dhe më pas edhe me heqjen e masave të reciprocitetit të cilat u vendosën nga Qeveria Kurti pas heqjes së taksës”.

“Me heqjen e masave të reciprocitetit nga ana e qeverisë aktuale, dhe vendimit të qeverisë për të suspenduar fushatën e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare në këmbim të përkushtimit të Serbisë për të hequr dorë nga fushata e çnjohjeve. Vlen të theksohet që ministri i jashtëm i Serbisë vazhdoi të falënderonte shtetet e ndryshme për mosnjohjen e Kosovës edhe pas shprehjes së vullnetit për të ndalur fushatën kundër shtetit të Kosovës”.

“Duhet kuptuar që roli i SHBA-ve në rikthimin e palëve në tryezë të diskutimit ka qenë qenësor, pasi të gjitha këto veprime u ndërmorrën në një kohë kur pritej të mbahej samiti i Uashingtonit nën ndërmjetësimin e Ambasadorit Grenell. Zhvillimet e brendshme politike qoftë në Kosovë qoftë në Serbi mund të kenë ndikim në proces”.

Ajo shtoi se akoma nuk dihet dhe nuk janë sqaruar objektivat e dialogut.

Sipas saj Hoti dhe Vuçiq tanimë mund t’i diskutojnë marrëveshjet e arritura që do të zbatohen në mënyrë paralele.

“I emëruari i posaçëm i BE-së pas takimin virtual që palët mbajtën të dielën, me të cilin u konsiderua që dhe rifilloi procesi i dialogut, shprehu që ka një dakordim me palët rreth elementeve të procesit. Ndërsa tashmë dihet që ai ka biseduar me Kryeministrin Hoti edhe lidhur me strukturës dhe metodologjisë e procesit”.

“Ndërsa ende palët nuk kanë ndarë detaje të mëtejmë rreth asaj se cilat janë elementet e procesit, disa nga temat që u bën publike qoftë nga Kryeministri Hoti dhe Presidenti i Serbisë Vuçiq, pritet të jetë çështja e të pagjeturve, të personave të zhvendosur, çështjet ekonomike, të njohjes reciproke dhe ajo e kadastrave. Një element tjetër i qartë që ndërlidhet me procesin është që palët do të diskutojnë mbi marrëveshjet tashmë të arritura, të cilat do të zbatohen në mënyrë paralele me diskutimet rreth marrëveshjet përfundimtare”.

“Kryeministri Hoti nuk ka dhënë shumë detaje rreth çështjeve që do të diskutohen në këtë takim, apo dhe çfarë është duke u synuar të arrihet në këtë takim. Prandaj përtej simbolikës së një takimi të palëve përball njëri-tjetrit, mbetet të shihet në çfarë do të rezultoj ky takim. Ajo çfarë duhej të pritej nga ky takim në fakt do ishte që të sqaroheshin objektivat e këtij procesi, roli i BE-së, roli i shteteve anëtare të BE-së dhe i SHBA-ve, pritshmëritë e palës kosovare nga procesi dhe garancat qoftë të BE-së apo dhe shteteve anëtare”.

“Vetëm pasi të kishte një dakordim për procesin në përgjithësi, për synimet e tij, për çështjet që duhet të përfshijë dhe rezultatet e pritura, vetëm atëherë do duhej që palët të fillonin të diskutonin për tema konkrete më në detaje. Natyra e paqartë, ambugue e procesit që e ka shoqëror të njëjtin në fazat paraprake duhet të evitohet në këtë fazë. Nëse kjo do të jetë qasje që pala kosovare do të shtyj përpara, mbetet të shihet”.

Anëtarja e shoqërisë civile porosit se për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, kryeministri Avdullah Hoti, duhet të sigurojë një unitet të brendshëm.

“Në këtë takim palët do duhej të diskutonin dhe për procesin që nga vitit 2011, ku qëndrojmë marrëveshjet tashmë të arritura duke nxjerr në pah sa jëna zbatuar ato dhe duke përcaktuar se si të ecet përpara me të njëjtat, duke konsideruar që këto marrëveshje përmbajnë elementin e ambuguitetit konstruktiv i cili ka shkaktur problem në zbatim. Por në të njëjtën kohë ka munguar vullneti politik i palëve veçanërisht i Serbisë për të respektuar dakordimet e arritura”.

“Në anën tjetër, në mënyrë që Qeveria Hoti të mund të shtyj Kosovën drejtë arritjes së marrëveshjeve duhet në radhë të parë të arrijë një konsensus të brendshëm politik rreth këtij procesi. Pasi kundërshtimet e brendshme të procesit do të minimizojnë edhe fuqinë e tij vendimarrëse në tryezë të bisedimeve. Andaj është mëse e nevojshme që procesi i dialogut të ketë një mbështetje të gjerë nga spektri politik në vend”.

Ndërkaq analisti politik Shkëlzen Maliqi, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kohë më parë patën kërkuar që të rihapet rruga e rikthimit në tavolinat e bisedimeve, por që ishin bllokuar nga dy ish-kryeministrat Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti.

Ai tha se është mirë që ka rifilluar dialogu sepse Kosova shihej si bllokuese dhe kështu rrezikoheshin raportet me aleatët strategjikë.

“SHBA-të patën kërkuar prej kohësh që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut me premtimin se mund të negociohet dhe arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe obliguese për rreth 6 muaj kujtojeni dy letrat e Presidentit Trump!, mirëpor dy qeveritë e Kosovës, e Haradinajt dhe e Kurtit, hezituan dhe bllokuan rrikthimin në tryezën e dialogut. Qeveria Hoti e ka marrë përsipër që ta rifillojë procesin dhe ka bërë mirë, sepse Kosova për dy vite konsiderohej shkaktare e ngecjes duke rrezikuar edhe prishjen e raporteve me aletatët strategjik”. Takimi i nesërm shënon momentin kur BE-ja, duke reaguar ndaj konkurencës së SHBA-ve, po e merr stafeten e ndërmjetësimit. Synohet kurorëzimi i dialogut të mëparshëm, i cili nuk ka qenë aq i pasuksesshëm siç mendohet, por ka vendnumëruar sepse nuk adresoj çeshtjen qenesore të marrëveshjes politike. Dhe tashti edhe Brukseli, ndoshta jo vetëm për retorike, deshiron një proces të përshpejtuar që perfundohet me marrevëshje finale. S’kemi pse t’i frikësohemi procesit. Si edhe në fazat e mëhershme të krizës, nuk duhet t’i themi jo nismave të SHBA-ve dhe të BE-së, pasi që, si zakonisht, atyre i thoshte JO, duke e dëmtuar veten, Serbia”.

Maliqi shton se fokusi i dialogut do të jetë njohja reciproke.

Por, sipas tij arritja e marrëveshjes nuk duket dhe aq premtuese sepse ka skepticizëm tek palët.

“Rezultati imediat është vetë kthimi në dialog, ku fokusi do të jetë njohja e ndërrsjellë. Predispozitat për arritjen e marrëveshjes historike nuk duken aq të mira, ka shumë skepticizëm te palët por edhe te akterët të interesuar në rajon dhe jashtë rajonit. Dyshuesit në Kosovë impresionohen me deklaratat e presidentit serb, kur ai pohon se nuk do të pranojë bisedat për njohje të ndërsjellë. Por ky mendim nuk është aq meritor sa zotimet e BE-së dhe të SHBA-ve se duhet të arrihet marrëveshja historike. Nuk po them se suksesi është i garantuar, por që ky është qëllimi.

Edhe nese Vuçiqi vendos që të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk është se do të fiton diçka nga kjo, perkundrazi. Delegacioni kosovar, si në Rambuje dhe Vienë, nuk duhet assesi ta lëshoj tryezen, kurse Serbia le të matet, nëse ka kaçik, çka mund të fitojë nga refuzimi? “.

Njohësi i zhvillimeve politike nuk beson se nga ky takim mund të arrihet edhe marrëveshja.

“Marrëveshja e madhe që po përfolet nuk besoj se do të jetë temë në bisedën që mbahet nesër, pos nese organizatori nuk e sjell një draft projekt te saj si platformë fillestare të debatit. Kjo pjesë e bisedës ndoshta edhe nuk do të bëhet publike në këtë fazë të hershme. Por, besoj se ekspertet janë kujdesur ti draftojnë marrëveshjet për temat me të cilat nesër hapen bisedimet. P.sh. mund të dakordohet modaliteti i zgjidhjes së fatit te pagjetureve të luftes. Kjo është një çështje e ndjeshme që padrejtesisht është neglizhuar me vite të tëra.

Po kështu, besoj se do të instalohet menjëherë një mekanizëm i vlerësimit të marrëveshjeve të arritura më herët, ku shumica e tyre nuk po zbatohen.

Ndoshta me i rëndësishëm do të jetë pajtimi rreth mënyres dhe dinamikës së zhvillimit të bisedimeve, si dhe niveleve në të cilat do të punohet me ekipe ekspertësh me detyra pune të afatizuara”.