Sporti

Amir Rrahmani transferohet në Serie A

06/20/2019 17:47
nga:Lorik J

Duhet të transferohej në Belgjikë te Standard Ligi, ku e priste firma mbi kontratë, vizitat mjekësorë dhe prezantimi. Por, gjithçka ka ndryshuar përpara gjashtë ditësh dhe përgjatë kësaj kohe është punuar në fshehtësi totale.

Ivan Juric, përpara se të zyrtarizohej në stolin e Hellas Verona, që sezonin 2019-2020 do të marrë pjesë në Serie A, kishte nisur merkaton sa i përket mbrojtjes. Miqësitë e tij me shumë agjentë kanë çuar edhe te Ardian Aliaj, agjenti i Amir Rrahmanit, mbrojtësit të kombëtares së Kosovës dhe Dinamo Zagrebit.

Një bast me pak para, por që mund të vlejë më shumë në të ardhmen. Në fakt, buxheti i Veronas për Serie A këtë sezon është rreth 20 mln euro, me blerjet që mund të kryhen dhe në këtë kuadër, duke u përpjekur për të realizuar një skuadër sa më konkurruese për mbijetesë, është përfshirë edhe shtatlarti i Kosovës.

Aliaj – agjenti i Rrahmanit – është takuar me Juric, teksa të dy janë miq dhe kanë luajtur te Hajduk Split dikur. Kështu, bisedimet me Standard kanë ngecur, ndërsa Celtic kishte bërë sondazhe, por duke mos qenë dakord të paguante 2-3 mln euro për një futbollist që do të ishte rezervë në Skoci, sipas planeve të klubit.

Juric, ish-trajneri i Genoas, gjatë kësaj kohe ka marrë informata edhe nga Dinamo Zagrebit dhe drejtuesit, duke i pasur miq, pasi është kroat. Raportimet kanë qenë të mira. Po, për të vendosur vulën finale, kroati është nisur drejt Podgoricës, ku ka ndjekur Mali i Zi-Kosovë, e përfunduar 1-1.

Aty ka ardhur edhe “drita jeshile” për ta marrë. Rrahmani u transferua në vitin 2015 nga Partizani te RNK Split për një shumë rreth 60 mijë euro. Më pas, kalimi te gjiganti kroat, Dinamo Zagreb, për 1,6 mln euro. Dinamo e la huazim te Lokomotiv Zagreb, klubi satelit, për ta rimarrë kur ishte pjekur edhe më shumë.

Tani, eksperienca e re, në një kampionat elitar: Serie A! Rrahmani dhe një dashuri si e Romeos dhe Zhuljetës, duke shpresuar që fundi të mos jetë tragjik./telesport