Lajme

Amerika rinis eksperimentet me viruset vdekjeprurëse

12/20/2017 23:46
nga:Gazeta Blic

Eksperimente me viruse të rrezikshme, një gabim në laborator dhe botën e merr lumi.

Një skenar që është shfrytëzuar maksimalisht nga Hollivudi dhe nga teoricienët e komploteve, me këta të fundit që kanë marrë hov sërish pas një vendimi të qeverisë amerikane.

SHBA i dha fund moratoriumit 3-vjeçar që ndalonte krijimin e viruseve vdekjeprurëse ne laborator, me justifikimin se përfitimet potenciale në gatishmërinë ndaj sëmundjeve janë më të mëdha se rreziqet.

Tashmë laboratorët amerikanë do të jenë të gjendje që të prodhojnë lloje gripi, Sarsi dhe Mersi apo ti modifikojnë ato në kuadër të studimit të mënyrave për tu përballur me epidemi të mundshme.

Ndalimi i eksperimenteve me viruset u imponua 3 vjet më parë pasi u zbuluan shkelje të jashtëzakonshme të sigurisë në institucionet federale.

Në një laborator të qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, dhjetëra nëpunës u ekspozuan ndaj antraksit, ndërsa në një qendër studimi në Uashington dhjetëra provëza me li ishin harruar prej vitesh nëpër zyra. Por vendimi i ri i hap rrugën eksperimentimit, me kushtin që një panel ekspertësh ti japë dritën e gjelbër çdo propozimi.

Prodhimi i viruseve dhe eksperimentimi me to do të lejohet vetëm më mënyrat më të sigurta dhe kur përfitimet janë më shumë se rreziqet. Por kritikët thonë se këto masa ishin dhe më herët dhe nuk ndaluan dot gabimet që mund të rezultojnë në një epidemi aksidentale, përcjell TCh.

Ndërsa mbështetësit e vendimit thonë se natyra është bioterroristi më i rrezikshëm dhe eksperimentet na ndihmojnë që të jemi një hap përpara saj, pasi shpërthimi i radhës i një virusi vdekjeprurës është thjesht çështje kohe.