Opinion

Amerika është si feniksi – problemi racor në ShBA

06/05/2020 16:39
nga:Fitim Salihu

Shkruan: Fitim Salihu

Amerika është si feniksi mitologjik – ngritet nga hiri i zjarrit të trazirave pas vrasjes së Xhorxh Fllojdit, ngritet kur të tjerët besojnë se ajo ka rënë, zgjohet kur të tjerët shpresojnë se ajo ka vdekur. Amerika rilind, rigjenerohet dhe ngritet akoma më e fortë

Amerika ka shumë probleme të brendshme. Racizmi dhe pabarazia racore, pa mëdyshje, janë problemi kryesor i saj. Por, në dallim prej regjimeve autoritare, Amerika, duke qenë demokraci liberale dhe vendi i parë demokratik në botë, e ka një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese dhe të përballjes me problemet e veta. Që nga Letrat e famshme të Federalistit (1787-1788) dhe hartimi i Kushtetutës së parë demokratike në botë, Etërit Themelues të ShBA-së pa ekuivoke e bënë të qartë se liritë njerëzore janë shtylla e themeli i republikës që ata po ndërtonin.

Amerika nuk i fsheh problemet e saj, ajo përballet me to, i shikon drejt në sy, nuk i ndrydh, por i shpalos dhe i shqyrton. Kështu ka qenë gjithmonë. Lufta Civile Amerikane (1861-1865) mes Unionit dhe shteteve jugore të Konfederatës ka qenë luftë pro et contra skllavërisë së afroamerikanëve. Presidenti Abraham Linkoln nuk zgjodhi ta fshihte këtë plagë të shoqërisë amerikane, por vendosi të luftonte për bindjet e tij për lirinë e afroamerikanëve, në qoftë nevoja edhe me armë. Një shekull më vonë, e prirë nga pastori Martin Luter King, nisi Lëvizja për të Drejtat Civile e cila, pas shumë peripecish, në fund triumfoi de jure përmes Aktit të të Drejtave Civile të nënshkruar nga Presidenti Lindon Xhonson në korrik 1964. Ky akt i dha fund ligjeve famëkeqe të Xhim Krouit dhe segregacionit mbi baza racore.

Njashtu, ndërkoha njëqindjveçare mes Luftës Civile dhe Lëvizjës për të Drejtat Civile është e mbushur me konflikte e me zgjidhje, paçka se më të vogla, për të drejtat e afroamerikanëve. Që nga Renesanca e Harlemit e viteve ‘20 (kur për herë të parë në mainstream-in kulturor amerikan erdhën në pah artistët afroamerikanë si Luis Armstrongu, Besi Smithi, Xhozefinë Bejkëri, etj.), tek desegregimi i Ushtrisë më 1948 nga ana e Presidentit Herri Truman (kur iu dha fund ndarjes së detashmenteve ushtarake amerikane mbi baza racore), Amerika asnjëherë nuk e fshehu nën tepih problemin e vet të pabarazisë racore.

Pra, Amerika i zgjidh problemet e veta në mënyrat e veta – herë me luftë e me dhunë, herë me marshe paqësore e me akte ligjore. Por, asnjëherë nuk i fsheh ato dhe këto probleme i pranon, i pasqyron dhe i shqyrton çdo dhe gjithsecili nivel – prej Presidentit gjer tek Hollivudi. Sa e sa filma amerikanë janë bërë për ta pasqyruar pabarazinë racore?! Kjo është e mundshme sepse Amerika nuk ka vetëm pluralizëm politik, por edhe pluralizëm intelektual dhe liri mendimi në çdo pore të shoqërisë. Filmat, librat dhe këngët amerikane nuk kanë nevojë të marrin leje as të Komitetit Qendror, as të sektorit të Agjitpropit, as të Institutit të Historisë së partisë-shtet.

Bashkimi Sovjetik dhe satelitët e tij të kampit socialist i kishin problemet e tyre të shumta – që nga shumësia e varfërisë e tek pakësia e lirisë. Rusia sot ka problemet e saj të shumta shoqëro-politike – që nga trajtimi i opozitës dhe shoqërisë civile e gjer tek trajtimi i komunitetit LGBT. Kina përballet sa me problemin e opozitës liberale, sa me problemin e trajtimit të minoriteteve etnike e religjioze. Por, duke mos qenë demokraci liberale, krejt këto shtete-shembuj kalben së brendshmi nga mungesa e guximit dhe e lirisë së shtetit e shoqërisë për ta pranuar problemin dhe për t’u përballur me të.

Ka qenë dhe është e paimagjinueshme në këto shtete që të prodhohen filma që pasqyrojnë drejt këto probleme, siç ka prodhur Hollivudi filma në lidhje me racizmin. Ka qenë dhe është e paimagjinueshme në këto shtete që mediet kryesore të bërtasin “J’accuse” kah Presidenti, siç po bën “New York Times”-i kah Presidenti Tramp. Ka qenë dhe është e paimagjinueshme që këto shtete t’i pranojnë mëkatet e së kaluarës dhe të bëjnë mea culpa politike-shoqërore mes turpit e me kokën ulur, siç ka bërë dhe e bën Amerika për trajtimin e amerikanëve nativë. Ka qenë dhe është e paimagjinueshme në këto shtete që opozita ose ish-liderët të dalin në krah të viktimave, siç kanë bërë ditëve të fundit ish-presidentët amerikanë Karter, Klinton, Bush dhe Obama. Ato sisteme shoqërore e mbajnë të mbyllur hermetikisht problemin, e asfiksojnë çdo zë që e ngrit atë problem dhe kësodore ai problem nuk zhbëhet por vetëm e bren së brendshmi trupin e shoqërisë sikurse një kancer i heshtur.

Krejt e kundërta ndodh në ShBA. Krejt historia e Amerikës është histori e luftës mes të drejtës dhe të padrejtës. Gjer më sot, në çdo konflikt ciklik ka ngadhënjyer e drejta – që nga Lufta Civile dhe deri tek Lëvizja për të Drejtat Civile. Madje, e drejta në atë tokë nuk ka ngadhënjyer mbi të padrejtën vetëm kur vjen puna tek racizmi. Fitoret për të drejtat e grave, për të drejtat e komunitetit LGBT, për të drejtat e komuniteteve fetare, për të drejtat e amerikanëve nativë, janë monumente të gjalla që dëshmojnë për një shoqëri që nuk fsheh problemet e saj sikur të ishin një turp, por – pasur nevojë që një fuqi e huaj të intervenojë – shoqëria amerikane vetë i bën publike ato probleme, vetë merret me to dhe vetë i zgjidh ato. Shpresojmë që sërish do të ndodhë ashtu.

Prandaj, Amerika asnjëherë s’ka rreshtur së qeni fanari frymëzues i lirisë dhe demokracisë. Amerikën nuk e ka mbajtur në rolin e superfuqisë së vetme në botë vetëm “hard power” i saj – ushtria, shërbimet sekrete dhe ekonomia bindshëm më e fuqishme në botë. Para së gjithash, Amerika e mban diademën e mbretëreshës së botës falë asaj që quhet “soft power” ose vlerat demokratike të cilat Amerika i ka reflektuar për botën mbarë – demokracia, liria dhe aftësia për t’i parë problemet e saj drejt në sy, për mos t’i fshehur dhe për t’i zgjidhur ato. Kjo është “Americana”, kjo është “American Dream” – “ëndrra amerikane”, seti i vlerave që ky vend rrezatoi për njerëzimin mbarë dhe të cilin akoma sot e aspiron secili i ri, në çdo cep të globit.

Amerika nuk është pa probleme dhe pa mëkate. Racizmi është problemi dhe mëkati kryesor nga e cila lëngon ajo. Por, Amerika – si shoqëri e si shtet – asnjëherë nuk i ka mbyllur sytë përballë tyre, nuk e ka mohuar ekzistencën e tyre dhe nuk e ka kursyer energjinë dhe vullnetin për t’i zgjidhur ato. Amerika ka përparuar dhe përparon nëpërmjet një lufte dialektike mes të keqes dhe së mirës, mes errësirës dhe dritës, mes obskurantizmit dhe liberalizmit, mes racizmit dhe antiracizmit. Kjo dialektikë të kundërtash është oksigjeni i demokracisë amerikane. Ngadhënjimi i të mirës mbi të keqen është përtëritja dhe rigjenerimi i vitalitetit të një shoqërie të shëndoshë.

Amerika është si feniksi mitologjik – ngritet nga hiri i zjarrit të trazirave pas vrasjes së Xhorxh Fllojdit, ngritet kur të tjerët besojnë se ajo ka rënë, zgjohet kur të tjerët shpresojnë se ajo ka vdekur. Amerika rilind, rigjenerohet dhe ngritet akoma më e fortë.