Lajme

Ambasadori i Beogradit në Podgoricë ftohet për bisedime, shkak deklarata e ministrit serb

06/20/2019 15:23
nga:A. R.

Ambasadori serb në Podgoricë, Zoran Bingulac është ftuar sot për bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

Ministria tha se e ka ftuar për shkak “të deklaratave negative të vazhdueshme nga qeveria serbe dhe zyrtarë të tjerë rreth punëve të brendshme të Malit të Zi, që kulmuan në deklaratat nga anëtari i Qeverisë së Serbisë, ministri i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik Nenad Popoviq”.

Sekretari shtetëror Zoran Jankoviq tha se ishin shqetësuese dhe të papërshtatshme deklaratat nga ministri Popoviq dhe se ai pret që Beogradi zyrtar të distancohet nga këto deklarata.

“Kualifikimet e rënda të përcaktuara në kurriz të Presidentit të Malit të Zi janë të papranueshme, nuk janë në përputhje të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nuk kontribuojnë në bashkëpunimin e përgjithshëm mes dy vendeve”.

Ministri për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq e quajti presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq “kriminelin më të madh në Evropë”, transmeton Klan Kosova.