Euro2024

Ambasadorët e shteteve më të fuqishme në botë u bën bashkë të dielën në Klan Arena për ta shikuar finalen e Europianit

07/15/2024 12:54
nga:Lorik J

Ambasadorët e shteteve më të fuqishme në botë u bën bashkë të dielën në Klan Arena.

Ata shkuan për të parë finalen e madhe ndërmjet Spanjës dhe Anglisë, në një super event të organizuar nga Klan Kosova në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Ky event ku morën pjesë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Italisë, Shqipërisë dje vendeve të tjera, u cilësua si madhështor.

“Ishte kënaqësi. Nuk ka ndonjë formë tjetër më të mirë të shikosh një ndeshje futbolli. Kështu që faleminderit Klan Kosovës”, tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

E sipas ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ambienti i organizuar është tejet komod dhe mjaft i ngrohtë.

“Është një iniciativë shumë e mirë, dhe ashtu siç duhet me qenë futbolli, diçka festive, që të dhuron lumturi, të relakson. Andaj, vërtetë këtu është shumë mirë”, ka thënë Guerot.

Se u kënaqën në ambientet e Klan Arenës, tha edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

“Është një ambient shumë i mirë dhe relaksues”, ka thënë ai.

Ndërkaq ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, përgëzoi Klanin për këtë ngjarje.

“Falënderoj televizionin Klan Kosova, që përveç që e ka transmetuar nga fillimi Evropianin, e ka organizuar edhe këtë event për finalen e madhe”.
Gjatë këtij eventi, mysafirët u shërbyen me pije, ushqime si dhe u realizua një lojë shpërblyese me pesë çmime nga Art Motion.

E gjithë kjo ngjarje unike, sipas autorit të Rubikonit, Adriatik Kelmendi, u bë për një arsye të veçantë.

“Jemi të lumtur që tashmë po kemi mundësinë që në 25-vjetorin e çlirimit dhe më shumë se 15 vjet të pavarësimit ti nderojmë ata që na ndihmuan të arrijmë në këtë ditë”, ka thënë Kelmendi.

Ndërkaq Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, tha se janë të lumtur për këtë organizim.

“Ideja ishte e përbashkët e Shkëlqim Devollit dhe e imja, dhe po gëzohemi që u bë realitet dhe jemi këtu të gjithë bashkë”.

Në mesin e fituesve të rezultatit, ishin edhe Jeffrey Hovenier e Jorn Rohde, duke e qëlluar rezultatin e saktë prej 2 me 1 për Spanjën.