Euro2024

Altin Sulce: Shqipëria mund të shkojë larg nëse kalon grupin ‘e vdekjes’ – kundërshtarët e grupit janë favoritët për këtë kompeticion

06/10/2024 08:47
nga:E K

Emocionet e Kampionatit Evropian Euro 2024 janë çdo ditë e më afër.

Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse për herë të dytë në histori të saj si Kombëtare në Kampionate Evropiane dhe do të kenë punë të vështirë në fazën e grupeve aty ku në grupin që është cilësuar si “i vdekjes” do të ballafaqohet me skuadra si, Spanja, Italia dhe Kroacia.

Gazetari shqiptar, Altin Sulce ka folur për GazetaBlic Sport duke komentuar mbi gjasat e Shqipërisë për ta kaluar grupin.

Varet nga kundërshtarët, varet nëse ata do jenë në ditën e tyre më të mirë apo jo. Varet edhe nga ne, ne duhet të jemi në një ditë që të japin 120% në performancë në fushën e lojës dhe kundërshtari të mos jetë në ditën e tyre më të mirë. Mendoj se më e vështirë me Spanjën, ndeshje delikate do të jetë me Italinë, nëse do kemi performancë të mirë në ndeshjen e parë mbase edhe elementi ‘fat’ të ndihmon atëherë mund të bëjmë diçka pozitive. Në aspektin psikologjik ecuria e Shqipërisë kam përshtypjen se do të varet nga ndeshja e parë. Kjo mund të shërbej në takimet e tjera.

Kampionati Evropian është reklama më e madhe futbollistike në kontinent, ne duhet të kemi përqëndrimin maksimal për të kaluar çdo sekondë me vëmendje maksimale vetëm duke bërë diçka të tillë mund të marrim rezultate pozitive nga një grup si ky“, tha fillimisht Sulce.

Sulce komentoi edhe grupin e përzgjedhur nga Sylvinho për “Euro 2024”.

Lista gjithmonë prodhon diskutime. Çdo lloj liste është një listë që prodhon debat. Nuk është vetëm Uzuni, por edhe Cikalleshi që ishte lojtar bazë në formacionin e Sylvinhos në kualifikime, lojtar që vrapon shumë në fushën e lojës, luan pa top, krijon hapsira dhe i duhet ekipit kombëtar. Sylvinho mbase ka përzgjedhur në bazë të kundërshtarëve që ka përballë, pra do ketë Italinë dhe ka marrë Abrashin që mund të luajë me dy shkatërrues së bashku me Ramadanin. Ekipet e tilla do jenë më sulmuese dhe ne duhet t’i përshtatemi lojës së atyre. Mendoj që në listë duhet të kishte vend për Uzunin dhe Cikalleshin“, shtoi ai.

Për fund, Sulce potencoi se Shqipëria mund të shkojë larg nëse arrin të kalojë grupin me këta tre kundërshtarë.

Mendoj që nëse Shqipëria do të kalojë këta tre kundërshtarë atëherë do të shkojë larg në këtë Kampionat Evropian, sepse këta janë kundërshtarët kryesor; Italia, Spanja dhe Kroacia, ndërsa Shqipëria do të ndeshet që në fazën e grupeve me këto ekipe“, përfundoi Sulce për GazetaBlic Sport.