Lajme

Albulena Haxhiu e dërgon në Kushtetuese demarkacionin!

03/22/2018 14:15
nga:Gazeta Blic

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese projektligjin për demarkacion të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, i cili dje u ratifikua në Kuvend, pavarësisht kundërshtimit të kësaj partie.

Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu. Sipas saj, projektligji për demarkacion do të dërgohet në gjykatë brenda javës së ardhshme.

“Po. Kemi vendosur që ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi duke punuar ne atë drejtim. Do t’a dërgojmë brenda afatit 8 ditor, ashtu siç e parasheh Kushtetuta”, tha ajo.

Këtë vendim, Haxhiu e ka arsyetuar me atë se projektligji në fjalë ka pasur shkelje të shumta kushtetuese “sidomos ajo e cenimit të elemementit konstituiv të Shtetit të Kosovës, territori”.

Kuvendi i Kosovës ka arritur të ratifikoi marrëveshjen për demarkacion pas pesë tentimesh, pasi që deputetët nga radhët e VV-së kanë hedhur gaz lotsjellës për të pamundësuar votimin. Në këto rrethana, Kryeparlamentari Kadri Veseli ka urdhëruar përjashtimin e disa deputetëve nga radhët e VV-së.

Gjatë procedimit të votimit, nga Vetëvendosje mbeti vetëm shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca. Shtatë deputetë u shoqëruan në Polici, kurse të tjerë u përjashtuan apo nuk u paraqitën fare në sallë gjatë aktit të votimit.

Momenti kur deputetët e VV-së hedhen gaz në Kuvend

Ndërprerja e seancës me anë të gazit lotsjellës është dënuar nga pjesa tjetër e spektrit politik që përfaqësohet në Kuvend.

Pas ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit, kryeministri Ramush Haradinaj tha se tani Kosova pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, “që më në fund qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë”.

Vendimin e Kuvendit, e ka përshëndetur edhe kreu i këtij institucioni, Kadri Veseli.

“Urime dita e parë e pranverës. Sot merr fund dimri i gjatë politik dhe nga sot fillon pranvera e re për të gjithë”, u shpreh figurativisht kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Ai ka falënderuar ambasadorin amerikan, Greg Delawie dhe shefen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova si dhe LDK-në për mbështetjen që i dhanë ratifikimit të marrëveshjes. Veseli u shpreh i bindur se pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova e përmbushi kriterin kryesor të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.

“Jam i sigurt që brenda vitit do të kemi lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, theksoi Veseli.

Zhvillimet në Kuvend, i ka përcjellur nga afër edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Ai tha se është i zhgënjyer me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, pas ratifikimit të marrëveshjes ka uruar deputetët dhe Kuvendin e Kosovës.

Me qëndrime të ashpra kundër vendimit të Kuvendit të Kosovës është paraqitur kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Sot 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës iu bashkuan tradhtisë së presidentit Thaçi dhe shkeljes së integritetit dhe Kushtetutës së Kosovës”, tha Kurti.

Ai e ka cilësuar si shumë të dëmshëm për Kosovën ratifikimin e demarkacionit, duke e arsyetuar kështu edhe veprimin e deputetëve të partisë së tij për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.

Pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova pret që Komisioni Evropian, qysh në muajin qershor, të konfirmojnë gatishmërinë e BE-së për lëvizjen e lirë, pa viza.

Me 80 vota “pro” dhe 11 kundër, demarakcioni u ratifikua në Kuvendin e Kosovës. /Gazeta Blic/

12/05/2019 16:01

Vjen një lajm i keq nga Avokati i Popullit për punëtorët që pritën pagat me rritje këtë muaj