Lajme

Albin Kurti tha se ai do të jetë kryeministër e Vjosa Osmani kryeparlamentare: Vjen përgjigja e Lutfi Hazirit

09/12/2019 19:01
nga:Gazeta Blic

Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se është privilegj që një grua si Doris Pack po e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryeministre.

“Të privilegjuar që një grua, zonjë, deputete dhe lidere na ka qëndruar afër dhe është me ne për 30 vjet. Në kohë të okupimit duke na dhënë shpresë dhe besim, ndërsa në kohë të administrimit ndërkombëtar duke na dhënë kurajo dhe mbështetje për status final. Një mbështetëse e flaktë e rrugës paqësore dhe rezistencës së Ibrahim Rugovës – Doris Pack”.

“Emri i saj njihet jo vetëm në Gjermani si shtet dhe në BE si Parti Popullore Europiane, por ajo është zëri më i fuqishëm i të drejtave të njeriut dhe grave në veçanti. Sot prezenca e saj është domethënie se ky popull, ky vend, kjo parti dhe kandidatja jonë është me aleatë të fuqishëm dhe me hapa të sigurt po e shkakton këtë ndryshim”.

Haziri ka thënë se ju kanë propozuar që Vjosa Osmani të bëhet kryeparlamentare dhe të mos garojë për kryeministre. Por, nuk ka dhënë emra se cili lider apo cila parti e ka bërë këtë propozim për LDK-në.

“Na thanë që ‘Vjosa është e mirë me u bo kryetare e Kuvendit’. Ne i thamë ‘jo sepse Vjosa ka me u bo kryeministre’. Na thanë prapë ‘hajt edhe nëse bëhet, lëreni pas të 6-tit të shtyhemi dhe mos po bëhem unë prapë. Ai që na tha, ne i thamë jo”.

“LDK-ja e ka ndarë mendjen që ta bëjë ndryshimin me veprim dhe jo me fjalë. Veprimi jonë politik është që ne u lidhëm bashkë, ndërtuam unitet, bashkësi dhe fuqi politike duke e nxjerrë Vjosën në krye të nominimit për kryeministre – jo me nominu, por me e bë kryeministre”.

“Ata i frikësohen ndryshimit edhe ai që ka menduar që është ma e mirë për kryetare të Kuvendit, e di që Vjosa Osmani është më mirë të jetë kryeministre sepse edhe kryetari i Kuvendit do të jetë një burrë apo grua prej LDK-së”.

Ai ka thënë se kandidatura e LDK-së për kryeministre nuk është ndryshe vetëm për shkak se në garë është një grua, njofton Klan Kosova.

“Kjo kandidaturë nuk është ndryshe për shkak të gjinisë, është ndryshe edhe për shkak të moshës – është kandidatja më e re. Na thanë ‘jeni parti e vjetër’, por ne e kemi kandidatin më të ri”.

“Na thanë ‘jeni parti e ngadalshme’, por ne kemi treguar se jemi të ngadalshëm sepse sjellim vendime të mençura sepse ata që nguten sjellin vendime të këqija. Ky vend është ngopë me vendime të këqija”.