Lajme

Albin Kurti tenton ta “kap” me ligj Zyrën e Regjistrimit të Partive në KQZ!

12/30/2021 14:21
nga:Gazeta Blic

Një ligj është në procedurë të ndryshimit. Bëhet fjalë për ligjin për financimin e partive politike. Përmes tij, po synohet që të ndryshohet roli i Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike që funksionin në kuadër të KQZ-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dhënë mbështetje publike ndryshimit të këtij ligji në një takim që është mbajtur me 14 dhjetor me grupe të ndryshme interesi në ndërtesën e kryeministrisë. Me 29 dhjetor, Qeveria e Kosovës e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës.

Nëse aprovohen të gjitha ndryshimet që parashihen në këtë ligj, atëherë Zyra e Partive Politike nuk do të kontrollohet nga një organ kolegjial siç është aktualisht KQZ-ja, por vetëm nga një individ – Kryetari i KQZ-së, i cili do ta emërojë Drejtorin e Zyrës pas konkursit publik për vend të lirë.

Anëtarët e panelit, përveç Kryesuesit të KQZ-së, emërohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Avokati i Popullit, Agjencia për mbrojtjen e të dhënave dhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas ligji në fuqi, Drejtori i Zyrës përzgjidhet nga një panel i përbërë nga anëtarët e KQZ-së dhe me ndryshimet e reja, kjo më nuk do të jetë kompetencë e organit kolegjial, por rol të madh pritet të marrë Kryetari i KQZ-së, i cili do ta udhëheq të gjithë procesin.

Përveç procesit të emërimit, Drejtori i Zyrës do t’i raportojë Kryetarit/Kryesuesit të KQZ-së, por jo edhe KQZ-së si organ kolegjial, siç është tani. Aktualisht Kryetar i KQZ-së është Kreshnik Radoniqi, i cili u emërua nga Presidentja, Vjosa Osmani, në të njëjtën ditë që e shkarkoi Valdete Dakën. Kjo e fundit kishte kundërshtuar certifikimin e Kurtit dhe të kandidatëve të tjerë të cilët ishin të shpallur fajtor për vepra penale nga gjykata në tri vitet e fundit.

Për vendimin e shkarkimit vëzhguesit e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar Presidenten Osmani duke thënë se nuk kishte mbështetje ligjore. Lidhur me këtë ndryshimin e këtij ligji, Gazeta Blic ka biseduar me ekspertin për çështje zgjedhore dhe kushtetuese, Albert Krasniqin.

Ai ka vlerësuar aspektet pozitive të ndryshimit të këtij ligji, që përmenden edhe nga Komisioni i Venedikut.

Megjithëkëtë, Krasniqi thotë se nuk është mënyra e duhur për të garantuar përzgjedhjen e drejtorit të Zyrës pa ndikime politike.

“Komisioni i Venedikut ka kërkuar që të rregullohen në mënyrë më eksplicite procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të Zyrës, në atë mënyrë që të shmanget ndikimi politik dhe të bazohet në merita. Zgjidhja e ofruar në grupin punues të këtij ligji, ka qenë që të përzgjidhet nga paneli që për përbëhet nga Kryesuesi i KQZ-së, dhe anëtarët që emërohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Avokati i Popullit, Agjencia për mbrojtjen e të dhënave dhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Duke qenë se në krye të këtyre institucioneve po vazhdojnë të emërohen persona të afërt me partinë në pushtet, nuk jam i bindur që kjo mënyrë është e duhura për të garantuar përzgjedhjen e drejtorit të Zyrës pa ndikime politike. Për më keq, në rrethanat kur një parti politike kontrollon e vetme edhe Kuvendin edhe Presidencën, vetëm që e centralizon më shumë sesa që do të mund të ishte nëse përzgjedhja do t’i lihej KQZ-së ku janë të përfaqësuara më shumë parti parlamentare”, thotë Krasniqi.

Sipas draftligjit, roli i KQZ-së në raport me këtë Zyre do të mbetet “jashtë loje”. Në nenin 19, ku flitet për kontrollin financiar thuhet mes tjerash se “Zyra përgatit raportin vjetor për KQZ-në dhe i njëjti i pandryshuar, nga KQZ i përcillet Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Pra, 11 anëtarët e KQZ-së nuk do të kishin të drejtë që raportet e Zyrës t’i debatojnë apo ndryshojnë edhe nëse kjo do të ishte e arsyeshme. Këto ndryshime, pra që Zyra të funksionojë vetëm formalisht brenda KQZ-së, mund të bartin pasoja të mëdha në procesin e certifikimit të kandidatëve dhe subjekteve politike, si më i rëndësishmi i procesit zgjedhor, sepse mund të kontrollohet nga partitë politike në pushtet.

Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 kanë treguar se vetëm një organ kolegjial mund të shërbejë si korrektues i devijimit të mundshëm të procesit të certifikimit të kandidatëve.

Në mbledhjen e këtij institucioni, me 22 janar, Drejtori i Zyrës së Partive në KQZ, Yll Buleshkaj, kishte rekomanduar edhe certifikimin e kandidatëve të dënuar me vendime të plotfuqishme në tri vitet e fundit për vepra penale nga gjykata. Në mesin e këtyre kandidatëve bënte pjesë edhe Albin Kurti.

Meqenëse Drejtori i Zyrës kishte rekomanduar që të certifikoheshin të gjithë kandidatët së bashku (të dënuarit dhe ata që nuk kishin probleme me ligjin), KQZ-ja kishte vendosur që të mos aprovonte rekomandimin.

Pas ankesave në PZAP, ky institucion kishte gjetur shkeljet e bëra nga Drejtori i Zyrës së Partive. PZAP kishte arritur në përfundim se rekomandimi i Zyrës ishte (I) “në kundërshtim me pikën II të dispozitivit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës” për rastin e deputetit Etem Arifi, (II) se “rekomandimi nuk ka qenë në përputhje me dispozitat ligjore të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme” dhe (III) “përkundër verifikimit nga ana e KGJK-së bazuar në kërkesën e Zyrës, Zyra hedh dyshime në saktësinë e të dhënave të përfshira në këtë përgjigje, e që kjo bie në kundërshtim me nenin 329 paragrafi 1 i ligjit për procedurën kontestimore”.

I pyetur në përgjithësi për amendamentet e ligjit në fjalë, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus tha se ato i janë nënshtruar edhe analizës së Komisionit të Venedikut i cili ka dhënë opinionin mbështetës pasi mundësojnë Zyrës pavarësi funksionale dhe i garantohet resurset e nevojshme në praktikë ashtu siç kërkohet me standardet ndërkombëtare. I gjithë qëllimi i ndryshimeve të propozuara është që të vendosen të gjitha garancitë e nevojshme për t’i mundësuar Zyrës që të ushtrojë funksionet e saj pa ndikime politike.

“Sa i përket auditimit të financave të subjekteve politike është bërë një rregullim më i mirë sesa që është aktualisht në ligj, pasi mënyra aktuale e përzgjedhjes së auditorëve nga Kuvendi ka dështuar vazhdimisht duke minuar transparencën financiare të subjekteve politike. Ndryshimet e kthejnë përgjegjësinë e përzgjedhjes së auditorëve tek KQZ-ja, ashtu siç kishte qenë para ndryshimeve të ligjit në vitin 2013. Gjatë asaj periudhe përzgjedhja e auditorëve nuk kishte pasur problem”, tha Krasniqi.

Projektligji për ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike pritet të hyjë në agjendën legjislative në muajt e parë të vitit 2022. Partitë politike parlamentare ende nuk kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me këto ndryshime.