Lajme

Albin Kurti: Taksa 100 për qind nuk është dashtë të vendoset, por tash as nuk bën të hiqet!

03/14/2019 19:46
nga:A. R.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka pohuar se diplomatë e politikanë të ndryshëm ndërkombëtarë vetëm po e transmetojnë kërkesën e presidentit serb Aleksander Vuçiq për heqjen e taksës. Sipas tij,  presidenti serb po kërkon heqjen e taksës vetëm që të vazhdojë ‘pazarin’ e tij me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, projekt ky për ndarjen e Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Kurti, gjithashtu ka thënë që taksa 100 për qind nuk është dashtë që të vendoset, dhe që kjo taksë tash nuk bën të hiqet, sepse do të ishte nënshtrim i Kosovës së pavarur ndaj shtetit të Serbisë.

Për më shumë shihni shkrimin e plotë të Albin Kurtit të bërë në ‘Facebook’.  

 

Rikthimi tarifor i Pieter Feith

Vuçiq e ka kërkuar heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë në Kosovë. Diplomatë e politikanë të ndryshëm ndërkombëtarë që kërkojnë të njëjtën gjë, vetëm sa e transmetojnë kërkesën e Presidentit të Serbisë ndaj Kosovës. E kuptueshme, sepse ata janë ndërmjetës të diplomacisë fluturuese midis Kosovës dhe Serbisë. Në Prishtinë na i thonë kërkesat e Beogradit, ndërsa në Beograd ua thonë kërkesat tona (kur ka të tilla). Zyrtarët nga Evropa dhe ShBA-ja tash i kanë nga dy kapela, sikurse dikur Pieter Feith në Kosovë, edhe Përfaqësues Civil Ndërkombëtar që na e njihte pavarësinë, edhe Përfaqësues Special i BE-së që nuk na e njihte pavarësinë! Të gjithë ata janë bërë Pieter Feitha tani: njëra kapelë (bilaterale) është e shtetit të tyre që na e ka njohur pavarësinë e shtetit tonë, kurse kapela tjetër (multilaterale) është ajo e ndërmjetësit të jashtëm që vjen me porositë e palës tjetër. Nuk duhet t’i ngatërrojmë në mendjen tonë kapelat e tyre.

Së dyti, Vuçiq nuk po kërkon heqjen e tarifës që të fillojë dialogu parimor me Kosovën por që të vazhdojë pazari i tij me Thaçin. ‘Razgraniçenje’ quhet projekti i Beogradit për ndarjen e Kosovës e që s’realizohet dot pa presidentin e Kosovës. Prandaj, le të mos shtiremi se nuk e dimë se çka do të ndodhë menjëherë pas heqjes apo pezullimit të tarifës: takimi në Bruksel, me Thaçin e Vuçiqin, anash, ndërkaq Mogherini në mes dhe në ballë, në zyren e kësaj të fundit. Natyrisht që nuk është dashur të ketë tarifë mallrash por reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, ama tash nuk bën të hiqet tarifa. Ai do të ishte kapitullim: nënshtrim i Kosovës së pavarur ndaj shtetit të Serbisë dhe dorëzim i shtetësisë e territorit të Kosovës në pazarin Vuçiq-Thaçi.

07/22/2019 00:35

Ky është emri i serbit që u arrestua në Lipjan për krime lufte