Lajme

Albin Kurti takohet me Edi Ramën

05/19/2021 22:18
nga:M K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama janë takuar në Bruksel.

Këtë e ka konfirmuar kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, përcjell GazetaBlic.

Ai ka thënë se me Ramën është takuar miqësisht, pa protokoll, me ç’rast kanë diskutuar për format e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Më poshtë edhe postimi i para pak çasteve.

Gjatë vizitës në Bruksel për darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pata takime me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, z. Josep Borrell, që ishte edhe nikoqir i darkës, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák, dhe Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, znj. Viola Von Cramon. Kurse me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u takuam miqësisht e pa protokoll, para darkës, e për të diskutuar mbi nevojën dhe format e bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes dy shteteve tona.
Kjo vizitë ishte një mundësi e mirë për të përfaqësuar Kosovën dhe qeverinë e re të saj reformiste të dalur nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit, për të diskutuar rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, si dhe mundësitë për të rritë ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe përtej e pas saj.

LEXO EDHE:

Pas Sali Berishës, Baton Haxhiu nuk e përjashton mundësinë që edhe Ilir Meta të futet ne listën e zezë të SHBA-së

/GazetaBlic/