Lajme

Albin Kurti: Në çdo takim po kërkoj liberalizimin e vizave

02/15/2020 14:23
nga:Norë Kelmendi

Kryeministri i ri po lobon për një çështje të vjetër e të stërzgjatur për Kosovën.

Albin Kurti nga Munihu në një intervistë për DW tha se në çdo takim që po bën në kuadër të Konferencës së Sigurisë po kërkon vizat për kosovarët, mospasjen e të cilave e konsideroi si shkelje të të drejtave të njeriut.

“Në çdo takim bilateral që po zhvilloj këtu në Munih, po kërkoj liberalizim e vizave për Kosovën sepse kemi plotësuar të gjitha kriteret. Mungesa e lëvizjes së qytetarëve tonë është praktikisht shkelje e të drejtave të njeriut”.

Kurti tha se përmes shtetit të së drejtës që do ta bëjë Qeveria e re do të përmirësohet edhe imazhi i Kosovës në këtë drejtim.

“ E di se imazhi i vendit tonë s’është si duhet, por pikërisht me shtetin e së drejtës që po dëshirojmë ta krijojmë, liberalizimi i vizave është mirë që të ngjajë sa më parë sepse kemi një diasporë të madhe dhe në anën tjetër pagesat për vizat po ja vështirësojnë edhe më shumë gjendjen atyre. Nuk do të ketë ikje të qytetarëve për shkak të liberalizimit. Remitencat që i dërgojnë në Kosovë tregojnë se ata nuk kanë dalë nga Kosova. Shqiptarët nuk dalin nga Kosova sepse dalin për t’u kthyer”.

Sa i përket zhgënjimit të mundshëm të diasporës me heqjen e ministrive, Kurti tha se nuk duhet bërë punët sikurse kanë qenë me këtë ministri.

“Ka qenë një ministër në krye të Diasporës që ka qenë edhe zëvendëskryeministër, madje pa asnjë votë të popullit. Por nuk bëhen punët kështu, ne në kuadër të zvogëlimit të ministrive, Diasporën e kemi në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Po ashtu, e kemi ministrin e Jashtëm, Glauk Konjfcën, që së shpejti me zëvendësministrin e tij do të bëjë punë shumëfish më të madhe se ata që ishin ministra të Diasporës”.

06/30/2020 11:59

Albin Kurti është fytyrë e një patrioti për këngëtaren e njohur nga Shqipëria