Lajme

Albin Kurti mashtrohet nga dy rusët e njohur, mendonte se po flet me presidentin e Letonisë

3 ditë më parë
nga:Sh R

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti duket se ka rënë pre e dy rusëve të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.

Dy komedianët rusë i janë lajmëruar Kurtit duke iu paraqitur si presidenti i Letonisë, Edgar Rinkevics, duke folur për zgjedhjet në Kosovë, për dialogun me Serbinë, emisarin amerikan, Richard Grenell, e çështje të tjera.

Në videon që kanë publikuar në llogarinë e tyre në “X”, biseda fillon me një urim për fitoren e Kurtit në zgjedhje, derisa kryeministri dëgjohet duke u ankuar për “luftë hibride” kundër Qeverisë, përmend dhe partitë opozitare dhe për oligarkët, duke e veçuar njërin që ka në pronësi një televizion.

Në këtë video, që pretendohet të jetë autentike, Kurti flet edhe për emisarin amerikan, Richard Grenell, orientimin e tij seksual dhe dëgjohet duke thënë se Grenell e ka rrëzuar qeverinë e parë dhe se tashmë ai po bashkëpunon me opozitën.

Kryeministri ndër të tjera tregon dhe shtetet prej të cilave Kosova është duke blerë armatim dhe që Kosova do të ndërtojë dhe fabrikën e prodhimit të armatimit.

Për sulmin në Ibër-Lepenc, thotë se prapa janë Serbia dhe Rusia.Mes tjerash, flet për protestat në Serbi kundër Vuçiqit dhe kritikon perëndimorët, SHBA-në dhe BE-në, që s’janë duke i përkrahur mjaftueshëm ato.

Kurti thotë se plani për problemin me Serbinë është që Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe thotë se SHBA dhe BE s’po i bëjnë presion mjaftueshëm për një gjë të tillë.

Gjithashtu Kurti flet edhe për Milan Radojicicin duke treguar se ai gjendet në Begorad.

Vladrimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyraov që njihen edhe si Vovan dhe Lexus më herët u kanë bërë rrengje edhe politikanëve të tjerë nëpër shtete të ndryshme. Siç raporton “The Independent”, të dy kanë mashtruar kryeministrin irlandez, Leo Vardakar, politikanin britanik, Boris Johnson, atë amerikan, Bernie Sanders, ish-kryeministrin kanadez, Justin Turedau, e shumë emra të tjerë.