Albin Kurti ka filluar negociatat për formimin e Qeverisë së re, pas dështimit për të arritur shumicën e nevojshme për të udhëhequr vetëm, raporton GazetaBlic.
Kështu bëjnë me dije burime të GazetaBlic, ku pas një humbje të dukshme në mbështetje, nga mbi 50% të votave në vitin 2021, në zgjedhjet e fundit ai siguroi vetëm 42.30%, një rezultat që ka minuar mundësinë për të krijuar një administratë të vetme dhe ka detyruar Kurtin të kërkojë koalicion me partitë e minoriteteve jo-serbe.
Ky rënie e mbështetjes ka ngritur pikëpyetje mbi autoritetin dhe besueshmërinë e liderit të Vetëvendosjes, i cili dikur udhëhoqi me një frymë të fuqishme popullore.
Negociatat aktuale me minoritetet jo-serbe janë një reflektim i ndryshimit të klimës politike në Kosovë, ku kërkesa për stabilitet dhe përfshirje e të gjithëve është më e theksuar se kurrë.
Ndryshe, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë dhe rezultateve të tyre përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.
E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.
Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.
Zgjedhjet në Kosovë mund të kenë përfunduar, por koha kur vendi do të ketë qeveri të re duket se është ende larg. Me partitë opozitare që e përjashtojnë bashkëpunimin me Vetëvendosjen dhe me këtë të fundit që këmbëngul se do ta formojë vetë qeverinë, situata mbetet e hapur për çdo skenar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai do të udhëheqë sërish me ekzekutivin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, tha Kurti shkurtimisht për gazetarët më 10 mars.
Por, për PDK, kolalicion me VV’në nuk është i mundur, madje kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza kishte deklaruar se: “Me VV-në në asnjë mënyrë nuk hyjmë në koalicion, edhe sikur të na jepnin kryeministrin”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja s’do të shkojë në koalicion me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Megjithatë, ai ka përjashtuar edhe mundësinë e koalicionit me partitë e tjera opozitare nëse LDK-së nuk i ofrohet posti i kryeminstrit.
“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta [VV-në]. Ky ishte qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, tha Abdixhiku.
Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës.
Rruga për formimin e institucioneve të reja do të hapet vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë certifikuar rezultatin zgjedhor. Numërimi i votave ka përfunduar dhe tani procesi është në fazën e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.
Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.
LDK-ja mori rreth 17 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, një ngritje prej rreth 5 për qind në krahasim me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2021. Sipas parashikimeve, LDK-së do t’i takojnë 20 ulëse në Kuvendin e ardhshëm.
/GazetaBlic/